Policia i shkon në derë dillerit në Prizren, i dyshuari tenton të ikë dhe gjuan qesen me drogë në rrugë

  • E.K /
  • 27 October 2022 - 13:35
Policia i shkon në derë dillerit në Prizren, i dyshuari tenton të ikë dhe gjuan qesen me drogë në rrugë

Përpos përdorimit të substancave narkotike, qytetarët shpesh herë kapen edhe me sasi më të mëdha të drogës të cilat i kanë përgatitur për shpërndarje apo shitje të saj. Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e një personi të dyshuar në lagjen Arbana në Prizren.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është zbuluar se 27-vjeçari R.M (emër i njohur për redaksinë), dyshohet se kryen veprimtarinë e shitjes së substancës narkotike të llojit marihuanë.

I dyshuari me të parë Policinë, ka tentuar që të ikë duke ia futur vrapit dhe duke hedhur qesen që mbante me vete në tokë, por që zyrtarët policorë që po merrnin pjesë në bastisje i janë vënë pas dhe kanë arritur që ta arrestojnë.

Sinjali mëson se në qesen të cilën e hodhi në tokë u gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Më pas është kryer kontrolli i tërësishëm i shtëpisë së të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar marihuanë, peshore për matjen e narkotikëve dhe telefon mobil.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktojë masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge’.

(Kosova Sot Online)