Shuplaka në kokë, fytyrë e goditje me rrip – aktakuzë ndaj të dyshuarit në Gjakovë që sulmonte vazhdimisht bashkëshorten

  • S.A /
  • 28 October 2022 - 12:10
Shuplaka në kokë, fytyrë e goditje me rrip – aktakuzë ndaj të dyshuarit në Gjakovë që sulmonte vazhdimisht bashkëshorten

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.J., për shkak të veprave penale “Lëndim i lehtë trupor në vazhdimësi” dhe “Kanosja”, ndërkaq, Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të njëjtit ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokuroria njofton se nga 17 deri më 21 gusht 2022, në Komunën e Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.J., në mënyrë të vazhdueshme e sulmonte fizikisht të dëmtuarën, bashkëshorten së tij S.J. “Për gjatë katër ditëve, i njëjti, me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, bashkëshortes se tij, ku pas mosmarrëveshjeve paraprake që kishin mes vete, fillon qe ta sulmon te dëmtuarën duke e goditur me rrip dhe me duar në pjesë të ndryshme të trupit, po ashtu, ditëve në vijim, i pandehuri përdor forcën dhe e sulmon fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me shuplakë në kokë, në fytyrë, si dhe, e godet me rrip në pjesë të ndryshme të trupit”, bëhet e ditur në njoftim. Me këtë ka kryer veprën penale, “Lëndimi i lehtë trupor në vazhdimësi”.

“Gjithashtu, në muajin korrik të vitit 2021, i pandehuri me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, seriozisht e kanos me fjalë dhe me armë të dëmtuarën, bashkëshorten e tij S.J., ku si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin në mes vete i pandehuri nxjerr nga sirtari i dollapit të dhomës të fjetjes armën dhe e kanos të dëmtuarën duke i thënë ‘Ka me t‘vra’, me ç ‘rast me veprimet e tij, i pandehur tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj”, thuhet më tej në njoftim.

Me këtë ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të  KPRK-sё.

(Kosova Sot Online )