“Shqiptari më i urryer në SHBA” mund të kthehet në Twitter falë Muskut

  • E.K /
  • 31 October 2022 - 10:51
“Shqiptari më i urryer në SHBA” mund të kthehet në Twitter falë Muskut

Pas blerjes së Twitterit, njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, pritet të bëjë disa ndryshime në këtë rrjet social. Njëri prej tyre është edhe kthimi i disa personaliteteve të cilët ishin ndaluar më parë.

Musku ka thënë më parë se ishte e gabuar që ish-presidenti amerikan Donald Trump të ndalohej dhe ka pasur spekulime se ai mund të kthehej. Por jo vetëm.

Edhe Martin Shkreli, i njohur si “shqiptari më i urryer në SHBA”, mund të jetë pjesë e listës që Musku ka vendosur t’ua heqë ndalimin në Twitter, raporton SkyNews.

Shkreli ishte pjesë e një skandali me një kompani farmaceutike të cilën e zotëronte. Ai pati rritur çmimin e një ilaçi jetëshpëtues nga 13.5 dollarë në 750 dollarë për pilulë. Trumpi ishte kritik ndaj kësaj lëvizje. E kishte quajtur Shkrelin si “djalë të llastuar”.

Ai u ndalua nga Twitteri pasi ngacmoi gazetaren Lauren Duca. Shkreli kreu një dënim me burg, por u lirua në maj të këtij viti.

Musku në anën tjetër pasi finalizoi blerjen e Twitterit kishte shkruar “zogu u lirua”. Shefi i Teslas e përshkruan veten si avokat të fjalës së lire.

Që nga fillimi i tij, Twitteri ka ndaluar një numër llogarish të profilit të lartë për shkelje të politikave të tij të përdoruesve.

Përveç Trumpit e Shkrelit, Twitteri mund t’ia heqë ndalimin Katie Hopkinsit, George Zimmermanit, David Icke, Tommy Robinsonit, Milo Yiannopoulosit, Azealia Banksit, Alex Jonesit e Steve Bannonit.

(Kosova Sot Online)