Konomi: Në vitet e ’90-ta në Vlorë nuk e dinim se Kosova kishte shqiptarë

  • E.K /
  • 31 October 2022 - 11:11
Konomi: Në vitet e ’90-ta në Vlorë nuk e dinim se Kosova kishte shqiptarë

Analisti i njohur, Arian Konomi, njihet në përgjithësi për paraqitjet televizive, përfshirë edhe punën ndër vite me shkrime të shumta.

Ai ka thënë se gjatë komunizmit ka pasur një propagandë kundër Kosovës.

“Unë jam Vlonjat. Ne në Vlorë nuk e dinim që në Kosovë kishte shqiptarë. Mendonim se ishin jugosllavë që flisnin shqip. Absolutisht nuk e dinte njeri [në Vlorë] se në Tetovë ka shqiptarë. Në vitin 1998-99 iu tregoja miqve të mijë për shqiptarët e Maqedonisë e Veriut. Iu thosha se janë shqiptarë si ne, nuk e besonin. Nuk e kishin këtë ide”.

Gazetari thotë se vetëm pas viteve të ’90-ta në përgjithësi shqiptarët në Shqipëri e kuptuan se ka shqiptarë edhe jashtë Shqipërisë.

“Unë personalisht kur kam ardhur si studentë në Tiranë nga Vlora si 18-vjeçar, pata parë fshehurazi një film në televizionin e Prishtinës (RTP) dhe ai ishte me titra shqip. Pyesja si ka mundësi që këta e bëjnë film me titra shqip. Nuk e dija që janë shqiptarë”, tregon tutje Konomi.

Ai thotë se njëjtë i kishte ndodhur me një roman që vinte nga Kosova.

“Këtu [Vlorë] dihej sikurse në Kosovë ka qenë një origjinë shqiptare, ishte tokë shqiptare nga Skënderbeu, por asnjë nuk e kishte idenë se këtu ishin shqiptarë si ne. Tani duket absurde kjo që po e them, por në Shqipëri kanë qenë njerëzit shumë të pakët që e dinin se këtu kishte shqiptarë”, deklaroi tutje Konomi.

(Kosova Sot Online)