Pas zhgënjimit të SHBA-së me vendimin për targat, Qeveria e Kosovës ia lë fajin Lajçakut

  • S.A /
  • 03 November 2022 - 11:57
Pas zhgënjimit të  SHBA-së me vendimin për targat, Qeveria e Kosovës ia lë fajin Lajçakut

Miroslav Lajçak, diplomati sllovak i angazhuar si emisar i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, po konsiderohet si fajtor për ngecjen e procesit te çështja e targave të automjeteve. Kërkesën e ndërkombëtarëve për shtyerjen e zbatimit të këtij vendimi, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e sheh si problem, në të cilin i ka futur Lajçak. SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me Kosovën, ndërsa në Prishtinë konsiderojnë se e kanë dhënë përgjigjen më të mirë ndaj kërkesës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur jo pak neveri për faktin se po duhet të merren me çështje teknike si targat e automjeteve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, kryenegociatori Besnik Bislimi ia ka lënë fajin emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, për ngecjen e procesit në çështjen e targave të automjeteve.

Besnik Bislimi e quajti të gabuar intervenimin e Miroslav Lajçakut në çështjen e targave, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën. Sipas numrit dy në Qeverinë e Kosovës, ndërmjetësi europian prodhoi “efekte anësore të gabueshme”, duke rekomanduar që të shtyhet për një vit zbatimi i vendimit për zëvendësimin e targave.

Diskutimi për targat, Bislimi thotë se nuk është tashmë pjesë e dialogut në Bruksel.

“Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z. Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”, ka thënë Bislimi.

SHBA-ja u shpreh e zhgënjyer me planin e fundit të Qeverisë për zbatimin e përshkallëzuar të vendimit për zëvendësimin e targave që i lëshon Serbia. Emisari amerikan, Gabriel Escobar, kishte kërkuar 10 muaj shtyrje. Kjo kërkesë, sipas Bislimit, ishte “si një lloj korrigjimi” i kërkesës së Lajçakut, dhe si shtesë për dy muajt që Qeveria e kishte shtyrë zbatimin e vendimit.

“Unë mendoj që termi zhgënjim në gjuhën shqipe ndoshta merr një konotacion pak më të ekzagjeruar se ajo që është menduar në qëndrimin atje. Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Miroslav Lajçakut (të dërguarit të BE-së për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj”, ka thënë Bislimi.

Bazë për kërkesën për targat, sipas Bislimit ishte “një interpretim i gabuar i zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”.

Kosova konsideron se e ka pasur përgjigjen më të mirë për ndërkombëtarët në lidhje me targat. Bislimi tha se “në këtë mënyrë më së miri u përgjigjemi sfidave, të cilat na kanë detyruar t’i shtyjmë masat deri më 21 prill”.

Javën e kaluar, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, mori pjesë në një diskutim për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ktitikoi faktin se po duhet të merren me çështje teknike si energjia dhe targat. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë virtualisht në diskutim, duke thënë se ishte emisari europian, Miroslav Lajçak, ai i cili kishte insistuar të shqyrtohen “çështjet e vogla”.

“Ka qenë synim që nga fillimi i Qeverisë që të merremi me kornizën e gjerë dhe te sigurohemi që të fokusohemi në shtyllën kryesore, e që është edhe mandati i z.Lajcak e që është të ndërmjetësoj një marrëveshje që prezanton një normalizim të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe kemi pasur edhe konfirmimin e z.Lajcak që ky është qëllimi i tij, por na është thënë që janë edhe disa çështje që s’mund t’i shmangim gjatë rrugës, sepse marrëveshjet e vjetra ose nuk zbatohen siç është supozuar ose kanë afate të qarta. Kjo është arsyeja pse është dashur të merremi me çështjen e energjisë dhe të targave. Jo se ne i kemi zgjedhur, por çështjet na kanë zgjedhur neve”, ka thënë Bislimi.

Kryenegociatori kosovar tha se ka palë në negociata që kanë interes t’i shndërrojnë këto çështje në problematika të mëdha.

Kosova në verë kishte bërë një përpjekje për të vendosur rregullat që do ta bënin të detyrueshëm zëvendësimin e targave të automjeteve për banorët e zonave me shumicë serbe. Kambanat e alarmit kishin rënë në fund korrikut në Bruksel e në Washington, kur në veri të Kosovës ishte krijuar një atmosferë lufte.

Cisterna të ngarkuara, të shtëna, e barrikada afër të cilave qëndronin persona të maskuar e të armatosur kishte pasur në rrugë, në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte paralajmëruar se do të intervenonin në rast nevoje. Për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës, edhe fizikisht, ishin angazhuar emisarët Escobar dhe Lajçak.

(Kosova Sot Online )