Çka po zihet rreth misterit Edon Zhegrova?!

  • S.A /
  • 03 November 2022 - 11:05
Çka po zihet rreth misterit Edon Zhegrova?!

Edon Zhegrova ishte transferuar me ambicie të mëdha në kampionatin francez në dimrin e kaluar. Futbollisti kosovar ishte larguar nga Baseli për ta provuar një eksperiencë të re në Lille.

Pasi e zbuloi gradualisht Ligue 1 dhe dukej se po ambientohej, duke marrë vrull në fund të sezonit të kaluar, përfaqësuesi kosovar ka nisur të zhduket si një meteor. Portali francez “le11hdf.fr” ia ka kushtuar një shkrim futbollistit ofanziv, të cilin e ka konsideruar si një “mister”. Ish-trajneri i Lillet, Jocelyn Gourvennec e kishte çuar në qiell ish-futbollistin e Prishtinës pak muaj pasi e kishte transferuar klubi francez.

“Ai mund ta bëjë diferencën në një kundër një. Është i mirë në driblim, pasim apo edhe në goditje. Gjithashtu, është një djalë që po dëgjon. Po përparon pak nga pak, kjo është pozitive”, kishte thënë ai.

Zhegrova kishte shënuar gola ndaj Clermont e Angers sezonin e kaluar, ndërsa i kishte bërë disa ndeshje të shkëlqyeshme në fanellën e Lillet, me ç’rast ishte pranuar mjaft ngrohtë nga stadiumi “Stade Pierre-Mauroy”.

Pavarësisht largimit të Jocelyn Gourvennec dhe ardhjes së Paulo Fonsecas si trajner, ish-lojtari i Baselit ishte ende pjesë e projektit të Lillet në fillim të sezonit.

Ai luajti ndaj Ajaccio, Nice e pastaj edhe kundër Montpellier në gusht dhe në shtator.

Por, fatkeqësisht, Edoni më pas e pati një tërheqje muskulore në kofshën e majtë.

Që nga ajo kohë, futbollisti anësor i ka luajtur veç 6 minuta kundër Strasburgut.

Një rënie e madhe për një lojtar premtues dhe me një të ardhme të ndritshme, për të cilin flitej se gjatë verës që shkoi, interesim kishte shfaqur edhe Arsenali, shkruan “Gazeta Express”.

Tash, Zhegrova do ta ketë të vështirë ta rikthejë vendin e titullarit pasi pozitën e tij e ka zënë Adam Ounas.

23 vjeçari e ka përpara edhe lojtarin në superformë, Jonathan Bamba, pastaj edhe Rémy Cabella dhe Jonathan David.

Madje, trajneri Fonseca e ka provuar edhe Mohamed Bayon në pozitë ofanzive, që nënkupton se punët për Zhegrovën janë vështirësuar tej mase për të pasur më shumë minutazh në ekipin francez. 

(Kosova Sot Online )