Koreja e Veriut lëshon edhe një raketë balistike

  • S.A /
  • 03 November 2022 - 12:02
Koreja e Veriut lëshon edhe një raketë balistike

Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) të enjten, por ajo dështoi në mes të fluturimit, thotë ushtria e Koresë së Jugut. Kjo raketë balisitike është e shtata që ka lëshuar Pheniani këtë vit. Kjo ndodhi në mes të shqetësimeve se së shpejti verikoreanët do të testojnë një armë bërthamore. Tensionet vijnë një ditë pasi dy Koretë lëshuan për herë të parë raketa afër brigjeve të njëra-tjetrës. Seuli ka vepruar si shenjë hakmarrjeje tri orë pasi Pheniani ka nisur një raketë që ka rënë më pak se 60 kilometra larg qytetit jugkorean, Sokço.Lëshimi i raketave nga Korea e Veriut vjen pasi SHBA-ja dhe Koreja e Jugut po organizojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të cilat Pheniani i ka kritikuar ashpër si “agresive dhe provokuese”.

Të enjten, Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë rreth orës 07:40 sipas kohës lokale. Kjo e ka shtyrë Qeverinë japoneze që të lëshojë një alarm të rrallë emergjence të enjten në mëngjes për banorët në disa nga rajonet e saj veriore, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë brenda. Tokio fillimisht tha se raketa kishte fluturuar mbi Japoni, por ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, deklaroi më vonë se ajo “nuk kapërceu arkipelagun japonez, por u zhduk mbi Detin e Japonisë”. SHBA-ja tha se lëshimi i kësaj rakete tregoi kërcënimin që programi raketor i Koresë së Veriut paraqet për fqinjët dhe paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. “Angazhimet tona për mbrojtjen e Republikës së Koresë dhe Japonisë mbeten të hekurta”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.  Koreja e Veriut, më 28 tetor, ka lëshuar drejt detit dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi. Ky ishte testimi i parë i armëve balistike që Veriu ka kryer në dy javët e fundit, teksa ushtria amerikane ka paralajmëruar se përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Phenjani do të “rezultonte në fundin e regjimit ” të këtij shteti.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testimesh, teksa ka thënë se po teston sistemet e armëve bërthamore që janë të dizajnuara për të sulmuar caqe në Korenë e Jugut dhe në SHBA. 

(Kosova Sot Online )