Ish-ambasadori Delawie akuzon Serbinë: Tensionet nuk erdhën për shkak të targave, por nga mosnjohja e Kosovës prej Serbisë që 25 vite

  • S.A /
  • 08 November 2022 - 10:42
Ish-ambasadori Delawie akuzon Serbinë: Tensionet nuk erdhën për shkak të targave, por nga  mosnjohja e Kosovës prej Serbisë që 25 vite

Lidhur me situatën e fundit të krijuar në Veri të Kosoves ka folur edhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie. Ai ka thënë se Thelbi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është te targat,  por në refuzimin e Serbisë për të pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës qe 25 vite. Kështu citohet të ketë thënë Delawie në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Diplomati amerikan  që shërbeu në Kosovë prej vitit 2015 gjer më 2018 u shpreh se serbët duhet të kthehen në institucionet e Kosovës, prej të cilave janë larguar, ngase kjo është në vetë interesin më të mirë të tyre.

“Zyrtarët e minoritetit serb janë të kontrolluar nga Qeveria e Serbisë, siç është edhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të kundërshtohet qeveria e Kosovës”.

Diplomati amerikan ka deklaruar se nuk është i njohur me detajet e të ashtuquajturës marrëveshje franko-gjermane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por sidoqoftë shprehet se  ka besim tek nismëtarët e kësaj iniciative.

“Unë besoj në aftësinë dhe motivimin e qeverive franceze dhe gjermane për të dalë me një nismë krijuese për të zgjidhur një nga pengesat më të rëndësishme që qëndrojnë në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore,” përfundon ambasadori Greg Delawie.

(Kosova Sot Online )