Vuçiq akuzohet se nuk po u tregon asgjë serbëve për bisedimet me Kosovën, "nuk e dimë se çfarë po planifikon të bëjë shteti"

  • E.K /
  • 14 November 2022 - 11:25
Vuçiq akuzohet se nuk po u tregon asgjë serbëve për bisedimet me Kosovën,

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po krititikohet në Serbi pasi sipas tyre Vuçiq nuk po i tregon atyre asgjë kur bëhet fjalë për bisedimet për Kosovën, përcjell "Kosova Sot Online".

Sipas shkrimeve, askush nuk e ka parë propozimin zyrtar të Gjermanisë dhe Francës dhe as nuk e dinë përgjigjen e Serbisë rreth kësaj çështje.

“Pra, edhe tani nuk jemi fare të njohur me planin e Macron dhe Sholc, nuk e dimë se çfarë po planifikon të bëjë shteti, kështu që jemi absolutisht jashtë loje kur vjen puna për të marrë vendime për këtë temë”, thekson Ivan Kostiq nga Dveri (parti nacionaliste në Serbi).

“Ne si deputetë e as si anëtarë të Komisionit për Kosovë e Metohi nuk e kemi parë atë propozim, së dyti kush e ka autorizuar dhe nga cila platformë është përgjigja dhe refuzimi i planit për të cilin nuk dimë asgjë. Mund të themi hipotetikisht nëse është plani i dy Gjermanive apo sipas asaj që shkruhet aty, po flasin për Kosovën dhe Serbinë, duke i trajtuar si shtete të barabarta”, thotë deputetja e Partisë Popullore Sanda Rashkoviq Iviq.

“Sigurisht që ai dokument nuk duhet refuzuar paraprakisht, por duhet të përpiqemi ta përmirësojmë në favorin tonë. Para së gjithash, në drejtim të garantimit të mbrojtjes së serbëve dhe pronës dhe trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Duke qenë se në të ardhmen nuk do të jemi më të rinj, është e vështirë që ofertat e radhës të jenë më të mira se kjo”, thotë Pavle Grbovic nga Lëvizja Qytetarët e Lirë.

(Kosova Sot Online)