PDK distancohet nga AAK-ja, tregojnë pse do të shkojnë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani

  • S.A /
  • 14 November 2022 - 13:09
PDK distancohet nga AAK-ja, tregojnë pse do të shkojnë në takimin e thirrur nga  presidentja Osmani

Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, transmeton "Kosova Sot Online".

Drejtori i komunikimit i Partisë Demokratike të Kosovës, Valmir Klaiqi  tha  se në këtë takim do të shkojë sekretari për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi. Për dallim nga PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë në këtë takim. Sipas tyre, duhet të reflektohet mbi kërkesat që ata kanë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale; Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë; Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar; Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, thuhet në postim.

Lidhja  Demokratike e Kosovës ende  nuk është deklaruar  se a do të shkojnë në takim.

Në Veri pritet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi kryetarët e katër komunave, pasi atje kanë dhënë dorëheqje kryetarët e komunave  pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

(Kosova Sot Online )