Arben Mustafa i PDK-së kritikon Projekt-buxhetin e Qeverisë Kurti për vitin 2023

  • S.A /
  • 16 November 2022 - 12:05
Arben Mustafa i PDK-së kritikon Projekt-buxhetin e Qeverisë Kurti për vitin 2023

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë vizioni në hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2023.  Në një konferencë për media, Mustafa tha se ky projekt-buxhet nuk i reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetës. “Ky buxhet më së shumti mund të quhet një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosovë në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, theksoi Mustafa, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas tij,  projekt-buxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por se “kryesisht është i bazuar në shpenzime sot për sot, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë”.

“Kjo Qeveri assesi nuk po mundet të dalë me një vizion konkret që tregon se ku synon ta çojë vendin në vitet e mbetura të mandatit të saj. Nga ajo që po shihet, kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për shpenzime enorme për nisma të pa menduara mirë, me efekte shumë afatshkurtra, të cilat nuk do të lënë gjurmë në rritjen afatgjatë të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, tha Arben Mustafa.

 

“Raporti i projekt-buxhetit ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5% për vitin 2023, që paraqet pothuajse dyfishim të normës së rritjes ekonomike nga viti aktual, e qe nuk përkon me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si institucionet më kredibile e të cilat sugjerojnë se rritja ekonomike në vitin 2023 nuk pritet të jetë më e lartë se rreth 3%”, ka pohuar Arben Mustafa.

Madje ai thotë se janw  “parashikimet e fryra” të rritjes ekonomike që në këto kushte të brishta janë një rrezik i lartë për qytetarin dhe Kosovën.

“Shembull konkret e kemi vitin 2022, kur kjo Qeveri me fjalë shumë të mëdha kishte prezantuar shifrën e buxhetuar të investimeve kapitale prej mbi 700 milionë euro, ndërsa tashmë kur ka kaluar pjesa më e madhe e vitit 2022, investimet kapitale të realizuara nuk rezultojnë të jenë më të larta se 200 milionë euro. Prandaj, në vend të numrave dhe fjalëve të mëdha, Qeveria e vendit duhet të tregoj se si synon t’i përmirësojë kapacitetet e saj për t’i realizuar ato investime që i ka paraparë në buxhet”, shtoi ai.

I vetmi dallim, sipas Arben Mustafes  është se punët që nuk janë përfunduar në vitin 2022, në vitin 2023 do të duhet të përfundohen me një kosto shumë më të lartë për buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, gjë e cila nënkupton humbje të parasë publike.

“Zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e drejtë në këto kushte do të ishte rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale për të paktën aq sa është rritur niveli i përgjithshëm i çmimeve. Mirëpo, duket që Qeveria ka vendosur ta refuzojë këtë ide edhe për vitin 2023, duke qenë se nuk ka planifikuar buxhet që do të mundësonte një rritje të tillë. Me këtë, Qeveria ose ka vendosur të pajtohet me varfërimin e qytetarëve nga rritja e çmimeve, ose ndoshta po planifikon që të vazhdojë praktikën e pakove të njëhershme të ndihmave për kategori të caktuara të qytetarëve, të cilat nuk janë treguar efektive në adresimin e nevojave të tyre”, theksoi Mustafa.

(Kosova Sot Online )