Sot mbushet një vit nga tragjedia e mistershme e Gllogjanit

  • S.A /
  • 26 November 2022 - 08:11
Sot mbushet një vit nga tragjedia e mistershme e Gllogjanit

Sot mbushet  saktësisht një vit nga tragjedia e  fshatit Gllogjan ku ka ndodhur vrasja  e trefishtë, dhe drejtësia akoma është në mjegull,  nuk ka  aktakuzë të bgritur lidhur me rastin. Para disa ditësh  Prokuroria e Pejës kishte  thënë se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, por se s’mund të japin detaje për të mos cenuar hetimet, transmeton "Kosova Sot Online ".

Misteri vazhdon ër këtë tragjedinë  me vrasje të trefishtë.Nga Prokuroria Themelore e Pejës i kanë thënë  se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, dhe  vetëm pas përfundimit të hetimeve,  do ta njoftojnë opinionin me rezultatet e arritura.Të dyshuar për këtë rast janë katër persona, familjarë mes vete. Njërit prej tyre, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit të kaluar, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla. Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan. Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit. Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin. Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë. Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para tri vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit. Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.

(Kosova Sot Online )