Brukseli me kritika të ashpra kundër Serbisë, i shqetësuar me politikën e saj të jashtme

  • S.A /
  • 01 December 2022 - 12:15
Brukseli me kritika të ashpra kundër Serbisë,  i shqetësuar me  politikën e saj të jashtme

Në pritje të takimin ministror të muajit dhjetorit, Bashkimi Europian do të shprehë “shqetësimin e thellë” për prapambetjen e Serbisë në drejtim të harmonizimit me politikën e jashtme europiane, kryesisht lidhur me Rusinë, transmeton "Kosova Sot Online" .

“Këshilli (BE) shpreh keqardhje të thellë për zmbrapsjen e Serbisë në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht mospërputhjen e saj me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe veprimet e saj të politikës së jashtme në kundërshtim me qasjen e përbashkët të BE-së”, thuhet në projekt-konkluzionet që do të miratohen në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, siç raporton Radio Evropa e Lirë.

Këshilli do të marrë gjithashtu parasysh mbështetjen e Serbisë për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të miratuara në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe hapa të tjerë përkatës.

REL thotë se ka një pasqyrë të projekt-konkluzioneve që do të miratohen nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në nivel të ministrave europianë të vendeve anëtare të BE-së në takimin që do të mbahet më 13 dhjetor.

Takimi ministror në dhjetor i kushtohet rregullisht vendeve që janë në proces të zgjerimit. Konkluzionet e miratuara nga ministrat përgjegjës për çështjet europiane konfirmohen më pas nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e mbajtur menjëherë pas takimit të ministrave.

Samiti i ardhshëm i BE-së është caktuar për 15 dhe 16 dhjetor.

Pritjet e BE-së

Përfundimet do të nxjerrin në pah “pritshmërinë e fortë” të BE-së që Serbia të përmbushë detyrimet e saj sipas kornizës së negociatave dhe se ajo forcon përafrimin e saj me pozicionet e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë dhe masat kufizuese të BE-së si një çështje e prioritetit më të lartë.

Siç thuhet në draft-konkluzionet që do të miratohen më 13 dhjetor, ministrat e BE-së do ta mirëpresin faktin që Qeveria e re e Serbisë e ka afirmuar integrimin në BE si qëllim strategjik. Megjithatë, ky dokument do të kërkojë që ky pohim të vërtetohet me veprime konkrete.

“Veçanërisht në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Këshilli pret që Serbia të tregojë një përkushtim të qartë ndaj BE-së dhe të mbrojë parimet dhe vlerat tona të përbashkëta. Këshilli gjithashtu u bën thirrje autoriteteve serbe që të komunikojnë objektivisht dhe pa mëdyshje rreth BE-së dhe të angazhohet aktivisht në parandalimin dhe shtypjen e të gjitha formave të dezinformimit dhe manipulimit të huaj të informacionit në të gjitha kanalet mediatike”, thuhet në draft-konkluzionet.

(Kosova Sot Online )