Njeriu më i pasur në Rusi arrestohet në Britani të Madhe

  • S.A /
  • 05 December 2022 - 12:29
Njeriu  më i pasur në Rusi arrestohet në Britani të Madhe

Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar ka arrestuar oligarkun rus Mikhail Fridman, me akuzën e pastrimit të parave, komplotit për të mashtruar Ministrinë e Brendshme dhe komplot për dëshmi të rreme. Fridman, një drejtues pas Alfa Group, një nga grupet më të mëdha të investimeve private në Rusi, është në listën e sanksioneve të BE-së për pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin", transmeton "Kosova Sot Online". 

BE-ja e quajti Fridman, një financues kryesor rus dhe mundësues i rrethit të ngushtë të Putinit kur e vendosi atë në listën e sanksioneve në fund të shkurtit. Në deklaratën e saj, Agjencia e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar tha se një miliarder 58-vjeçar ishte në mesin e tre burrave të arrestuar nga oficerët e Qelisë Luftuese të Kleptokracisë në një rezidencë shumëmilionëshe në Londër. Të tre burrat u liruan me kusht.

Miliarderi 58-vjeçar me origjinë ukrainase, bashkëthemelues i LetterOne, një firmë ndërkombëtare investimesh me qendër në Luksemburg, Alfa Group, dhe Alfa-Bank, një nga bankat më të mëdha private të Rusisë, u arrestua në rezidencën e tyre. Midis oligarkëve rusë, ai ishte i pari që shprehu kundërshtimin e tij ndaj luftës kundër Ukrainës. Ai ka qenë pjesë e një numri të lartë organizmash publike në Rusi, përfshi Unionin Industrial rus. Sipas revistës prestigjioze “Forbes”, ai ishte rusi i shtatë më i pasur në botë në vitin 2017 dhe në vitin 2020, u rendit i 11-i.

Deklaratat e tij për luftën në Ukrainë.

“Lufta ‘tragjike’ në Ukrainë duhet të ndalet”. Këto kanë qenë fjalët që ka cituar një nga njerëzit më të pasur të Rusisë. Duke e cilësuar luftën në Ukrainë si tragjedi për të dyja palët ai nuk nguroj dhe të bëje thirrje për armëpushim. Por miliarderi në fjalë u tregua i kursyer në opinionin e tij pasi dhe ai vetë është i vetëdijshëm se diçka e tillë  mund të rezultojë në një rrezik si për atë vetë personalisht, por dhe për kolegët dhe stafin e tij. Sipas tij ndalimi për rusët që të bëjnë biznes në botë është i padrejtë. ‘Unë gjithashtu kam kaluar shumë kohë nga jeta ime si qytetar i Rusisë, duke ndërtuar dhe rritur biznese.

Unë jam thellësisht i lidhur me popujt ukrainas dhe rus dhe e shoh konfliktin aktual si një tragjedi për të dy vendet. Unë nuk bëj deklarata politike, jam një biznesmen me përgjegjësi ndaj mijëra punonjësve të mi në Rusi dhe Ukrainë. Megjithatë, jam i bindur se lufta nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Kjo krizë do të kushtojë jetë dhe do të dëmtojë dy kombe që kanë qenë vëllezër për qindra vjet. Ndërsa një zgjidhje duket tmerrësisht e largët, unë mund të bashkohem vetëm me ata, dëshira e zjarrtë e të cilëve është që gjakderdhja të marrë fund është shprehur ai.

Kush është Mikhail Fridman?

Miliarderi rus lindi në Lvit të Ukrainës me 21 Prill 1964 si fëmija i dytë në një familje mesatare inxhinierësh. Babai i tij ishte i angazhuar në zhvillimin e sistemeve të lundrimit për aviacion, ku nga sukseset e arritura mori çmimin BRSS. Mikhail mbaroi shkollën me nota të shkëlqyera. Veçanërisht në olimpiadat që organizoheshin në lëndët shkencore si matematikë dhe fizikë ai ishte gjithmonë i pari. Përveç kësaj gjatë studimeve universitare ai zhvilloi dhe hobin që kishte ndaj muzikës. Dhe pikërisht këtu ishte dhe zanafilla për miliarderin rus, pasi falë interesit që kishte për artin ai arrinte të shiste bileta për shfaqjet më të mira të cilat i siguruan atij të ardhura mbresëlënëse.

Me të ardhurat që fitonte investoi duke organizuar evenimente argëtuese për studentët si dhe arriti të krijonte klubin rinor ‘Straëberry Glade’ në kuadrin e të cilit arriti të njihej me shumë biznesmen të tjerë që do të bashkëpunonte në të ardhmen. Dy vjet pas diplomimit, Mikhail Fridman punoi si inxhinier i projektimit në Elektrostal. Në të njëjtën kohë, ai zhvilloi biznesin e tij të parë kooperativën Kurier, e cila specializohej në pastrimin e dritareve. Dhe në 1989, së bashku me disa njerëz me të njëjtin mendim, ai krijoi një kompani që shiste kompjutera dhe përbërës për ta, programe kompjuterike, materiale fotografike dhe pajisje kopjimi. Mikhail Fridman është martuar dy here, në atë zyrtar dhe civil dhe është babai i katër fëmijëve.

(Kosova Sot Online )