Kishin ngritur biznese fiktive për të qarkulluar paratë, shkon në 8 numri i të arrestuarve pas zbulimit të skemës. Shkaktuan një dëm financiar prej 3 mln eurosh

  • S.A /
  • 17 December 2022 - 13:43
Kishin ngritur biznese fiktive për të qarkulluar paratë, shkon në 8 numri i të arrestuarve pas zbulimit të skemës. Shkaktuan një dëm financiar prej 3 mln eurosh

Ka shkuar në 8 numri i të arrestuarve nga operacioni “Damage” i finalizuar në shtator të këtij viti për goditjen e skemës së qarkullimit të parave të padeklaruara.

Në pranga është vënë M. G., 60 vjeç, banues në Itali. Ai akuzohet se në bashkëpunim me 12 persona të tjerë kishin krijuar një subjekteve fiktive për të qarkulluar paratë duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 3 milionë eurosh.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni policor i koduar “Damage”, shkon në 8 numri i të arrestuarve. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Në shtator 2022, në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga 7 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, kanë ndaluar shtetasin M. G., 60 vjeç, banues në Itali, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Damage”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar”

60-vjeçari, në bashkëpunim me 12 shtetas të tjerë (7 të vënë në pranga, 5 ende në kërkim) dyshohet se përmes mashtrimit, kanë krijuar dhe menaxhuar subjekte tregtare fiktive, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar vlera të konsiderueshme parash, të padeklaruara në organet tatimore, duke i shkaktuar kështu shtetit shqiptar, një dëm financiar prej 3 milionë eurosh. © Panorama.al

(Kosova Sot Online )