Kush qëndron pas grupeve kriminale që po rrëmbejnë qytetar serb në veri të Kosoves?

  • S.A /
  • 23 December 2022 - 12:21
Kush qëndron pas grupeve kriminale që po rrëmbejnë qytetar serb në veri të Kosoves?

Ditëve të fundit është raportuar për rrëmbimin e gjashtë qytetarëve serbë në veri të Kosovës dhe disa prej tyre janë dërguar në Serbi.Dyshimet janë se në këtë ngjarje janë të përfshirë agjentë të shërbimit sekret të Serbisë, transmeton "Kosova Sot Online "

 Të rrëmbyerit janë dhunuar fizikisht për shkak se kanë refuzuar të hyjnë në automjetin e rrëmbyesve. Ndërsa, bëhet me dije se mes tyre është rrëmbyer edhe një ish-polic i Kosovës.

Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për këto rrëmbime të disa serbëve në veri, megjithatë burime brenda institucioneve të sigurisë e vërtetojnë një dyshim të tillë.  .

Dy të rrëmbyerit e parë, njëri nga Leposaviqi, sipas informacioneve, janë mbajtur një ditë në një bodrum dhe janë maltretuar deri në alivanosje. Këta dy më pas janë lënë nëpër male dhe shërimin tani po e vazhdojnë në shtëpitë e tyre nga frika se shkuarja në spitalin e Mitrovicës Veriore mund të rezultojë me pasoja edhe më të rënda për ta.

Personi i tretë i rrëmbyer dhe i rrahur është pronar i një biznesi në Leposaviq, i cili gjithashtu është mbajtur i mbyllur për 24-orë.

Në kërkim nga banditët serbë, raportohet se  është edhe një ish-rreshter i Policisë së Kosovës, mirëpo të njëjtin ende nuk kanë arritur ta kapin. Ky ish-rreshter   edhe më herët ka pasur telashe me strukturat kriminale në veri, pasi që e kishte regjistruar veturën me targa RKS.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para se të ndodhin këto kidnapime të disa qytetarëve serbë atje, në një konferencë për media iu kishte referuar disa të dhënave të inteligjencës dhe kishte konfirmuar se një pjesë e kriminelëve në veri vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Tashmë i kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, qoftë nga Policia apo nga inteligjenca, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, kishte thënë Sveçla pas sulmeve në qendrat e KQZ-së në veri.

(Kosova Sot Online )