Rrustemi: Goditja e vetingut në drejtësi në pjesën e dytë të vitit 2023

  • S.A /
  • 26 December 2022 - 12:41
Rrustemi: Goditja e vetingut në drejtësi në pjesën e dytë të vitit 2023

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës,  thotë se amendamentet kushtetuese për Vettingun do të bëhen në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, ndërsa në pjesën e dytë të vitit do të fillohet puna konkrete e këtij procesi, transmeton "Kosova Sot Online".

Rrustemi zotohet se  në fillim të sesionit pranveror të Kuvendit, do të miratohet në lexim të dytë edhe Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Amendamentet kushtetuese besoj se duhet të votohen në pjesën e parë të vitit 2023, pastaj edhe ligji. Fillimi i punës mund të konsiderojmë se do të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2023. Tash ka edhe sfida kuptohet, pasi amendamentet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e gjithë deputetëve dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara. Por kjo është pjesë politike, kur duhet një diskutim më i gjerë në faza më të mëvonshme, por besoj se do të krijohet konsensusi, pasi vetingu është një proces në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, thotë ai.

Po ashtu ai  thotë se para së të miratohen amendamentet kushtetuese për vetingun, të njëjtat do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim paraprak të tyre.

Krahas  Vttingut,  Rrustemi thotë se me miratimin në lexim të dytë të byrosë, do të adresohet fenomeni shqetësues i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publikë në Kosovë, dhe kjo është një arritje në fushën e sundimit të ligjit.

“Opinioni i fundit i Venecias vlerëson lartë punën që është bërë dhe pozitivisht do të thosha unë secilën ndërhyrje dhe adresim. Natyrisht ka dhënë edhe tre-katër rekomandime joesenciale që presim si komision t’i adresojmë shumë shpejt dhe të miratojmë raportin me amendamente për t’ia drejtuar seancës. Tash Kuvendi është në fund të sesionit vjeshtor, nuk e di edhe sa seanca do të kemi këtë vit, por ne jemi gati për proceduar sa më parë. Tash i mbetet kryesisë së Kuvendit se a do të radhit në seancën e fundit për këtë vit, apo në seancën e parë të sesionit pranveror, por gjithsesi në javën e tretë të janarit presim që të miratohet projektligji për byronë dhe të fillojë themelimi i këtij institucioni, ashtu siç parashihet me ligj dhe të fillojë puna për adresimin e një fenomeni shqetësues në shoqërinë tonë, që ka qenë pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve publik në Kosovë”, shton ai.

Sipas tij, komentet e Komisionit të Venecias për këtë projektligj i kanë heshtur të gjitha shqetësimet e atyre që kanë kundërshtuar themelimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Venecia i ka heshtur të gjitha shqetësimet të bazuara apo të pabazuara të secilit që ka kundërshtuar këtë Projektligj, madje edhe të atyre që kanë kundërshtuar shqyrtimin në Kuvend dhe kërkesat të tërhiqet nga Qeveria. Është konfirmuar nga mazhoranca që është bërë mirë që nuk është tërhequr, pasi ne kemi vlerësuar se ka hapësirë për adresimin e rekomandimeve. Ne jemi të interesuar që ky Projektligj të jetë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithmonë duke pasur parasysh se konfiskimi civil është një dukuri e rrallë do të them unë, siç është edhe vet fenomeni i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publik. Nuk ka më justifikime për të kundërshtuar, përveçse nëse ka motive subjektive”, thekson Rrustemi.

(Kosova Sot Online )