Deputeti serb: Derisa të tjerët besojnë në diplomaci, ne vazhdojmë të besojmë në barrikada

  • E.K /
  • 27 December 2022 - 10:47
Deputeti serb: Derisa të tjerët besojnë në diplomaci, ne vazhdojmë të besojmë në barrikada

Deputeti opozitar serb, Bozo Preleviç, në një intervistë për gazetën Nova ka komentuar barrikadat e vendosura nga serbët në Kosovë.

Ai rikujton se Serbia të tilla barrikada kishte vendosur edhe para 30 vjetësh në Kroaci, derisa e quan mendësi të gabuar këtë qasje.

“30 vjet më parë në Kroaci filluan me revolucionin e trungjeve dhe barrikadat. Sot në Kosovë, 30 vjet më vonë, e njëjta mendje, të njëjtat barrikada”, thotë ai

“Kam frikë se do të jetë njësoj si në Kroaci”, shton Preleviç.

“Ndërsa ne besojmë në trungje dhe sëpata, të tjerët besojnë te dija, diplomacia, interesat dhe miqtë. Serbët paguajnë shtrenjtë për zgjedhjet e tyre politike dhe nuk lëshojnë asnjë mundësi për të humbur shanset”.

Për diskursin e politikës zyrtare serbe të udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, deklaron se “konflikt dhe heronj do të ketë vetëm në media”, derisa “tragjedi të tjera në realitet”.

“30 vjet më parë, radikalët i premtuan Serbisë një të ardhme qiellore dhe ata vodhën nga vendi. Sot, i riu i 30 viteve më parë i vendos të gjitha shpresat në nëntokë. E vetmja gjë për të cilën ata nuk shpresojnë është aftësia e tyre për të punuar”.

Derisa për situatën aktuale ka një referencë.

“Momenti ynë aktual politik është plagjiaturë e pastër e filmit të Kusturicës ‘Underground’. Gjithçka thuhet në atë film, përfshirë epilogun”.

Pra, Kosova nuk është vendi i vetëm ku serbët vendosën barrikada. Kjo është një taktikë shumë e vjetër, e prezantuar këtu e 30 vjet më parë në Kroaci.

Image

Barrikadat ne Kroaci

Çfarë sot njihet si “Revolucioni i Trungjeve”, ishte një kryengritje e cila filloi më 17 gusht 1990, në zonat e Republikës së Kroacisë të cilat ishin të populluara nga serbët në Kroaci.

Kishin zgjatur një vit, me eskalime të vogla, derisa përfundimisht çoi në Luftën Kroate për Pavarësi.

Serbët lokalë në fshatin Berak kishin vendosur barrikada fillimisht për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

Serbët në Kroaci filluan të kundërshtonin autoritet deri në mosnjohje. Ata përkraheshin nga Slobodan Millosheviç në Beograd.

Nga qershori 1990, serbët-kroatë hapur refuzuan qeverinë e re.

Serbët në institucione të Kroacisë kishin refuzuar të nënshkruanin “dokumentet e besnikërisë” dhe ishin përjashtuar.

Disa policë që i takonin komunitetit serb ishin arrestuar pasi ishin vënë hapur në përkrahje të “milicisë së krahinës”.

Të udhëhequr nga Milan Babiç dhe Milan Martiç, serbët lokalë filluan të bllokonin rrugët që lidhnin Dalmacinë me pjesën tjetër të Kroacisë.

Bllokadat kryesisht ishin bërë nga trungje me drunj të prerë në pyjet afër, përçka edhe ngjarja sot njihet si Revolucioni i Trungjeve.

Organizatorët ishin të armatosur me armë ilegale.

Njëjtë siç ndodhë sot në Kosovë, organizatorët e bllokadave kishin tentuar të përhapnin propagandën se serbët “po terrorizohen nga qeveria kroate” dhe se po luftojnë për të drejtat e tyre.

Me 22 dhe 23 nëntor të vitit 90-të një veturë e policisë ishte goditur me breshëri plumbash afër vendit të quajtur Obrovac dhe një nga policët, 27 vjeçari Goran Alavanja, kishte vdekur nga plagët.

Për ata që kanë përcjellur zhvillimet në Kosovë, ngjashmëria e situatës është shokues, përkundër se kanë kaluar 30 vjet.

Njëjtë serbët që punonin në institucionet e Kosovës u larguan, derisa policët serbë refuzuan të zbatojnë urdhrat dhe një pjesë e tyre iu bashkuan bandave në veri.

Po njëjtë, një veturë e policisë u godit me breshëri plumbash nga këto banda dhe një polic u plagos

Fatmirësisht në këtë rast, Ekrem Neziri u shpëtoi plagëve.

Ndërsa në Kroaci, pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj policisë dhe vendosjes së barrikadave, komunat e Kninit, Benkovacit, Vojniçit, Obrovacit, Graçacit, Dvorit dhe Kostajnicas shpallën “Regjionin autonom serb të Krajinas”.

Më pas, siç dihet, do fillonte lufta në Kroaci deri në çlirimin përfundimtar dhe shtrirjes së sovranitet të shteti kroat.

Serbët megjithatë nuk do të prisnin 30 vjet për të përsëritur veprimin e njëjtë me barrikada në rrugë.

Është edhe një rast tjetër para Kosovës, kur kishin bërë saktësisht të njëjtin veprim.

Vetëm dy vjet pas rastit në Kroaci, “politika e barrikadave” do përsëritje në Bosnje dhe Hercegovinë.

Image

Serb nga Bosnja ne barrikada, 1992

Me 29 shkurt dhe 1 mars ishte mbajtur referendumi për pavarësinë. Forcat politike serbe në Bosnje kishin deklaruar se vendimi për referendumin ishte jo kushtetuese, sepse nuk u arrit me pajtimin e të gjitha palëve dhe u bën thirrje serbëve ta bojkotonin daljen në votim.

Ata që votuan, kryesisht boshnjakët dhe kroatë, votuan për pavarësi.

Rezultati do fillonte atë që do njihej më pas si “lufta e barrikadave”. Serbët do të ngitnin barrikada në pjesë të Sarajevës duke i shpallur të pavarura nga shteti boshnjak.

Ata udhëhiqeshin nga lideri i tyre Radovan Karadgjiç. Kjo situatë më pas do çonte në Rrethimin e Sarajevës, rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti evropian në historinë e vonë. /Albanianpost

(Kosova Sot Online)