Gjykatësi që udhëhoqi rastin kundër Millosheviqit e paralajmëron Vladimir Putinin, duhet të gjykohet sivjet

  • S.A /
  • 02 January 2023 - 10:05
Gjykatësi që udhëhoqi rastin kundër Millosheviqit e paralajmëron Vladimir  Putinin,  duhet të gjykohet sivjet

Presidenti rus Vladimir Putin duhet të dalë para gjyqit në Ukrainë këtë vit për krime lufte të kryera atje, thotë njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale të ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq, transmeton "Kosova Sot Online "

Sir Geoffrey Nice i tha BBC-së se Putini ishte “fajtor” për sulmet ndaj objektivave civile gjatë luftës.

Avokati britanik shprehu habinë e tij që prokurorët dhe politikanët nuk po e “potenconin këtë shumë më lirshëm dhe më hapur”. Rusia mohon të ketë kryer krime lufte. Por, duke folur për programin Radio 4 të BBC-së, Sir Geoffrey i përshkroi veprimet e Moskës gjatë pushtimit si “krime kundër njerëzimit” – pasi objektivat civilë po sulmoheshin. Krimet kundër njerëzimit konsiderohen si ndër veprat më të rënda sipas të ashtuquajturave “rregulla” të luftës. Këto ligje ndalojnë sulmet ndaj civilëve – ose infrastrukturës jetike për mbijetesën e tyre – dhe janë përcaktuar në traktatet ndërkombëtare si Konventat e Gjenevës.

Për shembull, sulmet e përsëritura të Rusisë në rrjetin energjetik të Ukrainës gjatë dimrit janë përshkruar si krime lufte për shkak të dëmit të shkaktuar ndaj civilëve. Rusia këmbëngul se po godet vetëm objektiva ushtarake.

Trupat e Moskës janë akuzuar nga komuniteti ndërkombëtar për mijëra abuzime që nga invazioni i tyre në shkallë të plotë të vendit fqinj shkurtin e kaluar.

Prokurori i Përgjithshëm në Kiev thotë se deri më tani janë regjistruar më shumë se 62,000 krime lufte, duke përfshirë vdekjen e më shumë se 450 fëmijëve. BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë këto shifra, shkruan Klankosova.tv.

Sir Geoffrey ka punuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) midis 1998 dhe 2006.

Ai udhëhoqi çështjen kundër ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq, i cili doli në gjyq në Hagë në 2002 për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Millosheviqi – i njohur si “kasapi i Ballkanit” – vdiq në burg para përfundimit të gjyqit.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, Sir Geoffrey tha se rasti “nuk mund të ishte më i qartë” kundër zotit Putin dhe nuk kishte “asnjë dyshim” për një zinxhir komandimi që të çonte te njeriu në Kremlin.

Kjo do të thoshte se “gjëja më e rëndësishme” ishte që të gjykohej vetë lideri rus, në vend të ushtarëve të rangut të ulët, tha ai për “Broadcasting House”.

Ai shtoi se çfarëdo gjyqi “mund të nis nesër në mëngjes, për sa më përket mua” dhe duhet të mbahet nga ukrainasit në gjuhën ukrainase. Vetë Putini nuk do të kishte nevojë të ishte i pranishëm, tha ai.

Sir Geoffrey spekuloi mbi një arsye të mundshme pse udhëheqësi rus nuk ishte përballur me veprime më të ashpra deri më tani – duke thënë se mund të ketë një lëvizje për ta përjashtuar atë nga ndjekja penale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Ai tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) – e cila ka juridiksion mbi Ukrainën – “ende nuk ka bërë një deklaratë në lidhje me përgjegjësinë e Putinit për këtë krim”.

Gjykatësi Sir Geoffrey tha se ky “ngurrim” ngriti pyetjen nëse kishte një lloj “përparësie politike” për të mos paditur presidentin.

Por ai tha se ideja e ndonjë zgjidhjeje paqeje që pengonte një gjykim ndaj Putinit ishte një “perspektivë e tmerrshme” e cila do të ishte “një mohim i plotë i drejtësisë për popullin e Ukrainës”.

Si përgjigje, ICC hodhi poshtë çdo pohim për “presion ose ndikim” ndaj prokurorit, Karim Khan, për të vonuar çdo hetim.

Khan kishte “deklaruar në mënyrë të përsëritur… për të demonstruar se përgjegjësia është një imperativ që duhet arritur”, thuhet në një deklaratë të ICC.

Aty u tha se prokurori kishte punuar në terren në Ukrainë për të mbledhur prova të krimeve të luftës – dhe urdhër-arrestet do të lëshoheshin kur të ishin mbledhur prova të mjaftueshme.

(Kosova Sot Online )