Vrasja në Prizren, Kryeprokurori Shala: Konflikti nisi për faturë të shërbimeve, D.H., dyshohet për vrasje të rëndë

  • E.K /
  • 03 January 2023 - 14:31
Vrasja në Prizren, Kryeprokurori Shala: Konflikti nisi për faturë të shërbimeve, D.H., dyshohet për vrasje të rëndë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka folur për vrasjen që ndodhi sot në Prizren, ku mbeti i vrarë një 31-vjeçar me origjinë nga Kukësi dhe u plagos një 27-vjeçar, përcjell "Kosova Sot Online".

Shala ka thënë se Dibran Hoxhaj është i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Shala ka treguar se konflikti në lokalin “Kobra City” dyshohet se ka ndodhur lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

“Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të sigurimit te provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes. Organet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe ato të Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë”, tha Shala.

“Sot në orën 04:10, policia ka marrë informatë se ka pasur të shtëna në afersi të lokalit “Kobra City”, në dalje të Prizrenit rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, tha kryeprokurori Admir Shala.

(Kosova Sot Online)