A i përçau Albin Kurti apo Interesat e tyre personale, sindikalistët të ndarë e të përqar po akuzohen në mes vete

  • S.A /
  • 06 January 2023 - 12:01
 A i përçau  Albin Kurti apo Interesat e tyre  personale, sindikalistët të ndarë e të përqar po  akuzohen në mes vete

Me zhvillimet e fundit brenda sindikatave, raportohet se kryeministri Kurti ka ‘thyer’ kundërshtarët e mëdhenj të tij në pjesën e parë të mandatit. Disa prej sindikatave ndjehen të tradhtuara nga kreu i tyre, Atdhe Hykolli, që ia dha bekimin Kurtit për dy ligje. Sindikata e zëshme e Arsimit megjithatë është e kënaqur dhe përkrah bashkëpunimin e Hykollit me Kurtin, shkruan  "Kosova Sot Online".

Pak para Krishtlindjes, raportohej se ndodhi një pajtim i madh. Kurti e kishte në zyrë kreun e të gjithë sindikatave të Kosovës, Atdhe Hykollin. Zyra e Kurtit e përshkroi takimin me fjalët më të mira. Por më vonë, nga reagimet u kuptua se Kurti kishte marrë miratimin e kreut të sindikatave, por pa unanimitetin e tyre.   Kuvendi, me votat e Vetëvendosjes sapo i kishte miratuar dy ligjet e përfolura, Ligjin për Paga në Sektorin Publik dhe Ligjin për Zyrtarë Publikë, për të cilat Kurtit i duhej përkrahje më e gjerë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit u tha se Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës e “ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i Pakos për përballje me inflacionin”. Një ditë më vonë, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, që është pjesë e BSPK-së, u distancua nga “miratimi” që Hykolli ia kishte dhënë Kurtit. Kjo sindikatë shprehej e shokuar nga qëndrimi i kreut të BSPK-së.

“Pas raportimit nga mediat për takimin kryeministrin e Kosovës z. Kurti me kryetarin e BSPK z.Hykolli dhe mbështetjes se dhënë nga ky i fundit kryeministrit për miratimin e dy ligjeve atij për zyrtar publik dhe ligjit te pagave, SPAK -u është i shokuar dhe distancohet fuqishëm nga ky qëndrim i z.Hykolli duke e konsideruar dhe konstatuar se ky qëndrim është puro personal i tije dhe assesi qëndrim i BSPK-së e as qëndrim i kryesisë se BSPK-së, pasi që kryesia nuk është ftuar te diskutoj për këtë temë”, thuhej në reagim.

Sindikata e Shërbyesve Civilë konsideron se Kurti i ka injoruar pasi ka gjetur Hykollin, që “i tradhtoi” interesat e punëtorëve.

“Jemi të indinjuar thellë nga ajo përbuzja që kjo qeveri ka ditë ta bëjë duke mos u takuar me ne dhe duke mos negociuar me ne. Dialogu social, që në vazhdimësi Albin Kurti, si opozitë e ka përmendur, e tash si opozitë nuk e përmend fare, sepse e gjeti një pilot, një person që i tradhtoi interesat e punëtorëve, z. Hykolli është fjala, dhe negocioi vetë”, ka thënë këtë të mërkurë, Mursel Zymberi, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë.

Viti që shkoi është shënuar me përplasje të mëdha mes Qeverisë dhe sindikatave. Asnjëra palë s’po e kursente tjetrën. Por, Pas pas takimit me Hykollin që e pati në fund të dhjetorit, Zyra e Kurtit tha se u vlerësua “bashkëpunimi i deritanishëm” mes tyre.

“Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së, si dhe u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat”, thuhej në njoftim.

Përplasjet më të mëdha i ka pasur Sindikata e Arsimit me Qeverinë përgjithësisht dhe me Lëvizjen Vetëvendosje specifikisht.

Por, kësaj radhe, SBASHK-u është i kënaqur. Përfaqësuesi i kësaj bashkësie, Ymer Ymeri,  ka thënë  se Sindikata e Arsimit mbështet kreun e sindikatave, Hykollin, në takimet që ai i ka me Kurtin.

“Ne i përkrahim takimet dhe i përkrahim qëndrimet e z. Hykolli”, thotë përfaqësuesi i SBASHK-ut. Ymeri, i pyetur rreth akuzave të kolegëve të tij se Hykolli i ka tradhtuar interesat e punëtorëve, ka thënë se në fakt ata nuk kanë punuar për punonjësit që i përfaqësojnë. “Ata më shumë duan ta e arsyetojnë mospunën e vet te anëtarësia e tij”. “Ne për Ligjin e Pagave kemi hyrë në grevë. Si është e mundur të themi tash se s’duam të miratohet Ligji për Pagat”, thotë ai.

Ymeri thotë se Hykolli duhet t’i vazhdojë takimet me Kryeministrin, për t’i shtyrë më tutje agjendat në interes të punëtorëve. “Kemi kërkuar që këtë javë z. Hykolli ta përsërisë takimin me kryeministrin dhe të flasë për vlerën e koeficientit. E ka mbështetjen e plotë të SBASHK-ut”. Mes zhurmës dhe kontestimit nga disa parti dhe disa sindikata, Ligji për Pagat dhe Ligji për Zyrtarë Publikë janë dekretuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe pritet të hyjë në fuqi pas një muaji. 

(Kosova Sot Online )