Ortaku i Olsi Ramës në 'Call-Center' nuk shpallet në kërkim ndërkombëtar

  • A.P /
  • 26 January 2023 - 14:56
Ortaku i Olsi Ramës në 'Call-Center' nuk shpallet në kërkim ndërkombëtar

Nuk u arrestua në muajin nëntor kur e kërkoi drejtësia e Spanjës dhe EUROJUST e EUROPOL, por u lejua të arratisej në Dubai. Prandaj SPAK, duhet verifikojë nëse kërkimin e ka bllokuar Policia e Shtetit dhe “Interpol Tirana” e të fillojë hetimet ndaj drejtuesve përkatës; por nëse dosjen e kanë lënë pezull prokurorët e SPAK që i shërbejnë mafies së pushtetit, kryetari Altin Dumani duhet ta zhbllokojë dhe të procedojë vartësit e tij

Përveç kusureve penale që i ka hapur vetes, nga lidhjet me krirninelë, kontrabandistë e trafikantë dhe aferat e shumta korruptive të ministrave të tij, Edi Rama po lufton të shmangë edhe goditjet penale ndaj të vëllait Olsi Rama e ortakëve të tij, të përfshirë bashkërisht në punë të pista.

Deri tani, me fuqinë dhe ndikimin si kryeministër, Edi Rama nuk ka lejuar arrestimin brenda vendit dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Amant Josifit, këshilltar i ministres së Jashtme Xhaçka dhe administrator i rrjetit “Call Center”, që u ka zhvatur 2.5 miliardë USD për gjoja investime në Bitcoin, 200 mijë shtetasve spanjollë, gjermanë, belgë, austriakë, holandezë, italianë etj.

Edi Rama po mbron Amant Josifin, nga halli se sipas hetimit të operacionit ndërkombëtar “Stuhia”, kryer në Shqipëri më 8 nëntor 2022 nga EUROPOL, EUROJUST, Drejtësia Spanjolle e SPAK, rezulton  se bosi real i rrjetit mafioz “Çall Center” është Olsi Rama.

Faktin që bosi është Olsi, ndërsa Amant Josifi është maska dhe “çiraku” i tij administrator, u deklarua para hetuesve të Spanjës nga dy të arrestuarit e ekstraduar: Erindi Pysqyli e Berlando Saraçaj, të cilët janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë spanjolle, EUROPOL e EUROJUST.

Por drejtësia nuk e ka arrestuar akoma Amant Josifin, mbasi ish-kryetari i SPAK, Arben Kraja dhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku, nuk e arrestuan në 5 ditët e operacionit ndërkombëtar “Stuhia”, me mashtrimin se “nuk e gjenin dot”, por as më 22 nëntor e më pas, kur drejtësia spanjolle dërgoi Letër- Porosi për ta arrestuar, duke lejuar të arratiset me çarter në Dubai. Skandali thellohet më shumë, me konstatimin që në faqen e përditësuar datë 24 janar 2023 të Policisë së Shtetit dhe Interpol “Tirana”, emri e Amant Josifit nuk është shpallur “Person në kërkim ndërkombëtar”, megjithëse ka kaluar 1 muaj nga afati ligjor.

Edhe pse Drejtësia Spanjolle e ka shpallur vetë në kërkim ndërkombëtar, Policia e Drejtësia Shqiptare nuk vepron, paçka se ka detyrim të dyfishtë ta shpallë në kërkim, mbasi përveç Spanjës, prej 2 muajsh e ka me vendim “Arrest në mungesë”, për mashtrimin me “Call Center”.

Ligji Nr.10 193, datë 3.12.2009 e përcakton qartë, që shpallja në kërkim ndërkombëtar, bëhet pas 30 ditësh kërkim brenda vendit, duke i përçjellë shërbimit “Interpol” e agjencisë “FAST, fotografinë dhe të dhënat identifikuese të personit në kërkim.

Sipas ligjit, Amant Josifi i rrjetit “Call Center”, duhej shpallur në kërkim ndërkombëtar qysh më 22 dhjetor 2022, por nuk është shpallur, megjithëse po mbyllet muaji janar 2023.

Nëse e ka bllokuar Policia e Shtetit dhe “Interpol Tirana”, SPAK-u duhet të fillojë hetimet ndaj drejtuesve përkatës, por nëse dosjen e kanë lënë pezull prokurorët e SPAK që i shërbejnë mafies së pushtetit, kryetari Altin Dumani duhet ta zhbllokojë dhe të procedojë vartësit e tij.

Sepse duket i qëllimshëm, mos arrestimi i Amant Josifit kur e kishin te zyra e Olta Xhaçkës, te vilat e tij dhe në bankete mes Tiranës me shefin Olsi Rama, por dhe mos shpallja në kërkim ndërkombëtar megjithëse ka kaluar mbi 1 muaj afati ligjor.

(Kosova Sot Online)