Meta dhe Berisha: Rama të hetohet për aferën McGonigal

  • E.K /
  • 01 February 2023 - 15:28
Meta dhe Berisha: Rama të hetohet për aferën McGonigal

Kreu i PL Ilir Meta dhe kreu i PD Sali Berisha kanë gjetur të njëjtin orar për të dalë secili në konferencë për shtyp duke vënë në fokus dosjen “McGonigal” në të cilën kanë përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama. Ndërsa cilësoi se sipas tij ky është një skandal që provon korrupsionin e Ramës, Meta i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për çështjen ‘McGonigal’. Sakaq u kërkoi qytetarëve që të bashkohen më 11 shkurt në protestën kundër kësaj qeverie.

“SPAK duhet të kishte nisur hetimet për këtë skandal, që provon akuzat konkrete ndaj Ramës, që e ka shndërruar institucionin që çerdhe korrupsioni. Duke realizuar një goditje me thikë në zemër Shqipërisë. Është kjo arsyeja se pse Shqipëria nuk ka bërë përparim ndaj luftës kundër korrupsionit. Ndaj bashkëndaj të njëjtin qëndrim me Prokiç e cila me shumë të drejtë se Shqipëria ka ngelur në vend në luftën kundër korrupsionit. Ftoj shqiptarët, të bashkohen në 11 shkurt në orën 12:00 në protestën kombëtare.”, tha Meta.

Në nisje të kësaj mbledhjes së grupit parlamentar në selinë blu kryetari i PD-së, është shprehur se sipas tij, Kryeministri “Edi Rama ka përbaltur pas Enver Hoxhës më shumë se kushdo tjetër emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë para kombit amerikane” referuar dosjes “McGonigal”.

“Mblidhemi në një kohë kritike në shumë aspekte, regjimi i kalbur i Edi Ramës është sot regjimi më i diskredituar pas Koresë së Veriut, Carit dhe Lukashenkos. Edi Rama, siç dëshmojnë dokumentet e pakundërshtueshme, është sjellë ndaj SHBA sikur të ishin një vend armik dhe jo kontributori kryesor në historinë e lirisë së kombit shqiptar. Dhe jo udhëheqësi i botës së lirë, i aleancës së Atlantikut të Veriut, vendi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë e vendeve të lira.

Akti i Edi Ramës është një thikë e tmerrshme pas shpine që ky njeri, i cili nuk ka nder, nuk ka komb, nuk ka atdhe, nuk ka flamur, nuk ka dinjitet, ka bërë ndaj kombit amerikan, SHBA, qeverisë së SHBA, por edhe më gjerë. Edi Rama ka përbaltur pas Enver Hoxhës, më shumë se kushdo tjetër, emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë, para kombit amerikan, para qeverisë së SHBA dhe Kongresit të këtij vendi dhe institucioneve të tjera të këtij vendi. Edi Rama, e vërteta thashë edhe njëherë, është sjellë me aktin e tij, siç sillet armiqtë ndaj njëri-tjetrit.

Në këtë mënyrë, ai ka lënduar çdo shqiptar, i cili ka mirënjohje si virtyt të palëkundur moral të tij. Ka lënduar në mënyrë të tmerrshme shqiptaro-amerikanët, të cilët që nga viti 1910 e gjer më sot, në mënyrë të pareshtur, trokasin në dyert e ligjvënësve të tyre, kongresmenëve dhe senatorëve, në dyert e institucioneve të SHBA e gjer në derën e madhe të Shtëpisë së Madhe për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje për Shqipërinë dhe Kosovën. Për ata, kjo është ndoshta, pas diktaturës, java më e vështirë e tyre, para qytetarëve, miqve të tyre amerikanë, para ligjvënësve, para zyrtarëve, para të gjithëve. ” 

(Kosova Sot Online)