Hovenier: SHBA nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës

  • A.P /
  • 08 February 2023 - 15:54
Hovenier: SHBA nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës

Diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe më 31 janar, e konsiderojnë produktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Tani pritet të mbahet një tjetër mbledhje  por këtë herë jozyrtare për ta diskutuar më tej këtë çështje,  ka theksuar një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë

“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme”.

Për këtë mbledhje, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane tha se “nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”.


Pas diskutimit të mbyllur të organizuar nga Ambasada Amerikane më 31 janar, ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republika Srpska-s në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë Hovenier.

Diskutimi në Ambasadë pasoi deklaratat e zyrtarëve amerikanë të cilët thanë se “është koha për themelimin e Asociacionit”.

Pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Kurti e ka pranuar në parim propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vazhdon të ngurrojë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai nuk u ftua në diskutimin për Asociacionin në Ambasadën e SHBA-së, por në të morën pjesë disa përfaqësues të Qeverisë dhe të Presidencës.

Më pas, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit.

(Kosova Sot Online)