Koti: Dyshoj se Rama vjen në interpelancë, çdo deklaratë do t’i merret si provë në gjykatë në SHBA

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 10:51
Koti: Dyshoj se Rama vjen në interpelancë, çdo deklaratë do t’i merret si provë në gjykatë në SHBA

Deputetja e PD-, Sorina Koti, e përjashtuar për disa ditë nga punimet e Kuvendit, ka dyshime të forta se Kryeministri Edi Rama nuk do të vijë në parlament më 2 mars për interpelancë me opozitën, lidhur me çështjen McGonigal në të cilën është përfshirë në mënyrë të rrezikshme.

Znj. Koti argumentoi se “nëse kanë nisur hetimet realisht në SHBA, çdo gjë që Kryeministri do të deklarojë do t’i merret si provë në gjykatë atje.  Kështu, që jo datën 2 mars, por edhe 2 prill, edhe 2 maj, Kryeministri nuk vjen në parlament për të folur.”

Në një intervistë të dhënë sot në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, deputetja vuri në pah faktin se deputetët e PD po përjashtohen në masë nga Kuvendi, me qëllim që edhe nëse Rama vjen në interpelancë, ta ketë sa më të lehtë ta përballojë debatin. Por afera McGonigal tashmë përbën një çështje të sigurisë kombëtare dhe opozita është e vendosur ta përshkallëzojë aksionin e saj. Dhe ja cilat janë hapat.

Ndiqni intervistën e znj. Sorina Koti me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Duket se po vijon përjashtimi i deputetëve të PD. A mos ëhstë kjo nj zgjidhje që po i jep Kuvendi, vendit, për të mos dhënë detaje për çështjen McGonigal?

Sorina Koti: Mua më vjen mirë që sa vjen dhe na shtohen mbiemrat nga pas, pasi në fillim ishim Partia Demokratike, pastaj Partia Demokratike e Rithemeluar dhe tani jemi deputetë të përjashtuar. Kështu që i shtojmë edhe një aset. Është e vërtetë që PS ka filluar në masë të përjashtojë, komplet Grupin Parlamentarë të PD, jemi gati 25 deputetë të përjashtuar.

"Nuk janë të gjithë të njëjtën kohë, janë në seanca të ndryshme, por kjo është teknika që ka zgjedhur mazhoranca për t’i mbyllur gojën opozitës, duke i hequr të drejtën e fjalës, duke i hequr të drejtën e debatit, të interpelancës."

Nuk kemi kërkuar asgjë më shumë sesa një mocion me debat me Kryeministrin, një interpelancë e cila sipas rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës duhet të ishte pikë e e parë e seancës së radhës pasi ishte bërë kërkesa nga deputetët. Në momentin që nuk pranohet mocioni me debat, interpelanca, por vazhdohet me projektligjet në mënyrë shumë arbitrare dhe arrogante nga ana e drejtueses së seancës për të mos lejuar mocionin me debat dhe inteperlancën, atëherë ne detyrohemi të marrim masa të tjera që zëri i opozitës të dëgjohet.

Përderisa Kryeministri e cilëson parlamentin si “një kopsht zoologjik”, ku nuk mund të vijë të debatojë (se në fund të fundit nuk ka çfarë të debatojë se gjërat tashmë janë bërë publike në mënyrë ndërkombëtare) nuk ka lidhje këtu Partia Demokratike me çështjen McGonigal apo se na interesonte neve në këto momente që të plaste një skandal i përmasave të tilla ndërkombëtare, po janë informacione që ne i kemi marrë nga SHBA, është nisur një hetim atje.

Ne kërkojmë të drejtën që Kryeministri të vijë të japë sqarime përballë deputetëve votuesve të tij, qytetarëve në mënyrë që gjithçka të qartësohet brenda territorit të Shqipërisë. SHBA dhe drejtësia atje do të bëjnë punën e vet, por edhe Shqipëria dhe drejtësia shqiptare ka detyrat e saj.

Kafe Shqeto:Po cilat do të jenë metodat praktike që do të ndiqni për të realizuar një interpelancë me Kryeministrin Rama apo do të vazhdojnë të ngelen të përzgjedhurit e mazhorancës në radhët e opozitës, për interpelancë?

Sorina Koti: Duket se zonja Felaj gjeti një artific ligjor duke e përcaktuar datën 2 mars si ditën që kryeministri do të vinte. Por dyshoj fort se data 2 do të jetë një ditë interpelance për Kryeministrin sepse, nëse ai do të kishte pranuar, ishte herën e kaluar në seancë dhe ndenji në një formë shumë arrogante dhe të pushtetshme duke thënë që unë ju injoroj juve komplet. Por, nëse kanë nisur hetimet realisht në SHBA , çdo gjë që kryeministri do të deklarojë do t’i merret si provë në gjykatën atje.  Kështu, që jo data 2 mars, por edhe 2 prill, edhe 2 maj, Kryeministri nuk vjen në parlament për të folur. Nga ana tjetër, deputetët përjashtohen për pesë ditë, për dhjetë ditë, një pjesë e Grupit rikthehet në parlament.

"Kështu, që jo data 2 mars, por edhe 2 prill, edhe 2 maj, Kryeministri nuk vjen në parlament për të folur."

Kafe Shqeto: Se janë dhjetë ditë nga sot deri më 2 mars...

Sorina Koti: Grupi që u përjashtua ditën e djeshme nuk do të jetë në datën 2 mars, sepse nuk plotësohen ditët, por do të jenë grupet e tjera që janë përjashtuar pak më herët dhe ndoshta mund të jenë në seancë  por Kryeministri do të tentojë të përjashtojë sa më shumë ditën e enjte në datën 23 (shkurt), në mënyrë që data 2 (mars) të jetë sa më e thjesht për t’u përballuar, nëse do të përballet gjithmonë, por jam e bindur që edhe pak kolegë të jenë atje, do të arrijnë të bëjnë atë debat që duhet bërë.

Kafe Shqeto: Dihet që mazhoranca i ka rëzuar gjithmonë kërkesat e PD për komisionet hetimore dhe për çështjen McGonigal. Cila do të jetë metoda që PD do të përdorë tani? Do të ketë diçka tjetër përveç protestave paqësore jashtë parlamentit apo ajo që Kryetari i PD e ka thënë disa herë, një revolucion?

Sorina Koti: Jemi të detyruar që ta quajmë revolucion, sepse në momentin kur ti shikon hapat e para të krijimit të një neodiktature, patjetër që duhet të reagosh se nuk është çështje vetëm e PD. Kjo është çështje kombëtare. Shqipëria për fat të keq e ka vuajtur diktaturën dhe nuk mund të rikthehemi në atë situatë. Vendimi për të mos ngritur komisionin hetimor është antikushtetues, sepse kjo është marrë me një vendim të Kryesisë së Kuvendit për të hequr  ligjin e  ngritjes së komisioneve,se nuk ka ndodhur kurrë në historinë shqiptare në këto 30 vite të Kuvendit të marrë vendime ose Kryesia e Kuvendit në këtë rast, mazhoranca, të marrë vendim që ky ligj të mos jetë më i vlefshëm. Ne patjetër do të vazhdojmë protestën si brenda parlamentit, jashtë; do të ketë përshkallëzim të protestës.

Kur them përshkallëzim  do të thotë edhe pjesë e përplasjeve, patjetër paqësore , sepse këtu nuk diskutohet humbja e jetës siç ka ndodhur më “21 janar” me Ramën por përshkallëzim do të thotë që njerëzit ta dinë dhe po ndërgjegjësohen për atë që po ndodh. Se në fillim na thoshin “çfarë lidhjeje keni ju me çështjen McGonigal, le ta zgjidhë Amerika “e të tjera por duke i sqaruar nga dita në ditë qytetarët po e shohin se çështja McGonigal nuk është çështje vetëm e Amerikës por është çështje e sigurisë kombëtare në radhë të parë. Gjykata Kushtetuese ku ne e kemi çuan kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, se çfarëdo që ne të çojmë në Kryesinë e Kuvendit do të anulohet, këtë e dimë se ata kanë forcën e “kartonëve”, por nga krahu tjetër ne kemi forcën e opozitës, forcën e njerëzve që na mbështesin, kemi të drejtën tonë për të bërë gjithçka që duhet bërë në fund të fundit. Këto janë vendimmarrje të Kryesisë që ne sa herë kemi mbledhje të Kryesisë diskutojmë për hapin e radhës.

Hapi i radhës deri në këto momente janë protestat e datës 23, 2 dhe 3 mars dhe më pas  kemi zgjedhjet e 14 majit. Kështu që fokusi është i përcaktuar këto dy-tre muaj se ku do të jetë, të gjithë janë në terren, qoftë brenda në parlament, qoftë jashtë siç do të jem unë me Eldën (Hotin) jashtë parlamentit. /ar.sh/

(Kosova Sot Online)