Vjen reagimi nga Franca: Asociacioni të themelohet pa vonesa

  • A.P /
  • 28 February 2023 - 16:22
Vjen reagimi nga Franca: Asociacioni të themelohet pa vonesa

Franca mirëpret vendimin e Kosovës dhe Serbisë për pranimin e propozimit franko-gjerman për “Marrëveshjen Themelore”, ka deklaruar Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Franca ka bërë të ditur se tashmë presin që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog pa rezerva dhe me të njëjtën frymë kompromisi në implementimin e kësaj marrëveshje, të cilën Franca e konsideron esenciale për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Franca ka bërë thirrje që të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli, duhet të implementohen pa vonesa përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Franca e mirëpret këtë vendim të guximshëm të dy vendeve. Tani pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva dhe me të njëjtën frymë kompromisi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Franca gjithashtu rikujton se të gjitha marrëveshjet tashmë të lidhura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të zbatohen pa vonesë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, kosntaton MPJ e Francës.

Franca ka deklaruar se mbetet e mobilizuar dhe në mbështetje të ndërmjetësimit evropian, për të arritur përparim të shpejtë me synim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

(Kosova Sot Online)