Specialja s’ka vendim për lirimin e Nasim Haradinajt për ceremoninë e varrimit të të vëllait

  • A.P /
  • 03 March 2023 - 16:31
Specialja s’ka vendim për lirimin e Nasim Haradinajt për ceremoninë e varrimit të të vëllait

Ende nuk dihet nëse Nasim Haradinajt i është lejuar ardhja në Kosovë për ceremoninë e varrimit të së vëllait, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë thënë se deri tash nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje.

“Përgjithësisht, sipas kornizës ligjore, Dhomat e Specializuara i lejojnë të burgosurit të bëjnë kërkesa te paneli kompetent, kur ka bazë bindëse humanitare. Paneli do të vendoste në aso lloj kërkesash. Nuk ka një paraqitje publike apo vendim i adresuar për këtë cështje”, kanë thënë nga Zyra për Media e Dhomave të Specializuara.

“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet nga Mbrojtja dhe vendimet e gjykatësve janë të publikuara në faqe e Dhomave të Specializuara, kështu që kur të ketë ndonjë informatë tjetër – nëse do të ketë – në lidhje me këtë çështje do të jetë në dispozicion, ajo do të publikohet në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet tutje në përgjigje.

Agron Haradinaj po vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zot të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej  në njoftimin e OVL-së.

(Kosova Sot Online)