Hoti: Kemi hyrë në rrugën më të gjatë për të arritur tek marrëveshja finale

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 15:41
Hoti: Kemi hyrë në rrugën më të gjatë për të arritur tek marrëveshja finale

E gjithë Marrëveshja e Ohrit është duke u reduktuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

E për këtë, ai ka kritikë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin thotë se “e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë”.

“Pesë vendet mos-njohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Hoti në Facebook teksa thotë se në javën e ardhshme fillon dialogu në Bruksel për zbatim të marrëveshjes.

“Dialog për njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë”, ka kritikuar marrëveshjen ish-kryeministri i Kosovës.

Ai po ashtu ka thënë se “kemi hyrë në rrugën më të gjatë të mundshme për të arritur tek marrëveshja finale për njohje reciproke”.

“Derisa më herët dialogonim për marrëveshje finale për njohje reciproke, siç konfirmohej vazhdimisht nga letrat e vendeve mike drejtuar Kosovës dhe Serbisë, tani këta mashtrues e kanë betonuar një status quo të re.  Një Zot e di kur do të mund ta thyejmë këtë status quo dhe ta përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke. Deri atëherë do të mbizotëroj paqartësia për investitorët e jashtëm, do të vazhdojnë të ikin kuadrot dhe rinia”, ka shkruar Hoti, të martën.

Përndryshe, gjatë ditës zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se së shpejti do të nis zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. 

(Kosova Sot Online)