Kurti: FSK ka treguar vazhdimisht se është institucion me besueshmëri të lartë

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 19:50
Kurti: FSK ka treguar vazhdimisht se është institucion me besueshmëri të lartë

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nga Gjeneral Brigade, Joachim Hoppe, te Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes, mori sot pjesë kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka treguar vazhdimisht se është institucion me besueshmëri të lartë te qytetarët dhe se ky besim, sikurse edhe ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, është i bazuar në dy shtylla të fuqishme: luftën e popullit për liri dhe mbështetjen e partnerëve.

E si partner e mik të shquar të Kosovës, kryeministri Kurti e cilësoi Gjeneralin Hoppe, për të cilin tha se edhe pse sot po shënon fundin e detyrës së tij këtu, kontributi i tij e tejkalon kohën e mandatit tij, teksa u shpreh i bindur se do të mbetet gjithmonë mik i përhershëm i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në mesin kontributeve dhe mbështetjeve të NALT, ai veçoi atë të Gjeneralit Hoppe. Mbështetja nga Gjenerali Hoppe në hartimin e tri ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionerit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit, ka qenë vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes civile demokratike të Forcës, shpreh Kryeministri. Për më tepër, shtoi më tej ai, nën udhëheqjen e gjeneralit Hoppe, NALT ka dhënë kontribute të vlefshme në fusha të tjera, duke përfshirë punën e rishikimit të Planit tonë Kombëtar të Reagimit.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje Gjeneralit Hammerstein dhe suksese në detyrën e tij të re, duke i siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ai personalisht do të vazhdojë të punojë me të dhe ekipin e tij. Njëkohësisht, theksoi se do të vazhdojë të mbështes mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, dhe do të mbetet plotësisht i përkushtuar për zhvillimin e forcës sonë në përputhje me procedurat dhe standardet e NATO-s.

Para ceremonisë së ndërrimit të komandës, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u takua me Shefen e Divizionit të Operacioneve të Stafit Ndërkombëtar të NATO-s, Ariella Viehe.


(Kosova Sot Online)