Kurti: Albulena si ministre e ka për detyrë ta rishkruajë Ligjin për KPK-në

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 22:23
Kurti: Albulena si ministre e ka për detyrë ta rishkruajë Ligjin për KPK-në

Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm, do ta rishkruajë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Albulena si ministre e Drejtësisë e ka për detyrë ta rishkruajë. Ai ligj ka qenë i mirë, kemi nevojë për reforma në drejtësi, besoj që ka qenë i mirë. Gjykata nuk po beson që ka qenë i mirë apo i drejtë”, ka thënë ai.

Nëse nuk ka mundësi të gjendet një formulim i cili i përfshin vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë sipas Kurtit, duhet një vendim i ri politik.

Kurti ka thënë se nuk do ta shkarkojë ministren e Drejtësisë, por se ajo do ta rishkruajë ligjin.

“Le ta lexon MD-ja dhe të ma sjellin, dhe të shoh se a ka pasur mundësi që ta gjejmë një formulim, i cili i përfshin vërejtjet që na ka dhënë gjykata, nëse nuk është e mundshme duhet vendim i ri politik, nëse është e mundshme kryhet me Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se shkelja e Kushtetutës nga Haxhiu nuk është i njëjtë sikurse ai i Isa Mustafës për Asociacionin, sipas tij, ka shkelje të buta të Kushtetutës dhe të forta.


(Kosova Sot Online)