Pas rrymës qytetarët frikësohen se do të rriten edhe çmimet e artikujve

  • A P /
  • 31 March 2023 - 20:30
Pas rrymës qytetarët frikësohen se do të rriten edhe çmimet e artikujve

Qytetarët shprehen të shqetësuar pasi Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë vendosi shtrenjtimin e energjisë elektrike për rreth 15 për qind, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ata thonë se shtrenjtimi i energjisë elektrike mund të çojë edhe në rritjen e çmimeve të artikujve të përditshëm që edhe ashtu vlerësohen të larta.

“Normalisht që e kam marrë me shqetësim, nuk e di se si do të ia dalim këtyre shtrenjtimeve, nuk është në pyetje vetëm rryma por janë në pyetje të gjitha se ato po lidhen njëra pas tjetrës. Nëse do të na rritnin rrogat, pensionet e të gjitha sikur rrymën e gjërat tjera ndoshta do të mund ta përballonim disi, por këto ngriti e ato jo a thua mendon dikush për ne se çfarë të bëjmë, kujt t’i ankohemi, kot se ankesat nuk po na vlejnë. Pensioner jam, me një pension 180 euro çfarë të bëjmë, ato nuk më dalin vetëm për ilaçe e lëre të tjerat”, thotë Shani Shehu, banor i Prishtinës.

“Para një viti po i bjen domethënë në 2022-ën e kanë shtrenjtuar edhe ajo ka qenë e papërballueshme e tash është edhe më shumë, çfarë të bëjmë, rroga të vogla, pensionistët me 100 euro si ta përballojnë ata? Këtu ka varfëri të madhe, njerëzt e rinjë po ikin për shkak të ekonomisë së dobët për të jetuar më mirë në Evropë e nëpër botë”, thotë një tjetër banor i Prishtinës, Bashkimi.

“Po habitem me ZRRE-në e cila e din gjendjen tonë sepse është organizatë vendore në bashkëpunim me KEDS-in, ata sipas mendimit tim nuk po veprojnë racionalisht, po besojnë në supozime e jo në gjendjen reale. Kështu që shtrenjtimi i rrymës jo vetëm se do të sjell vështirësi vet si shtrejtim por do të shtrentojë edhe artikuj të tjerë sepse gati çdo element, çdo artikull që e blejmë lidhet edhe me rrymën”, thotë një tjetër banor i Prishtinës, Izet Zhuja.

“E kam të vështirë të menaxhoj sepse e kam një pension të ultë, pensionet nuk po rriten, këta për popull nuk punojnë, çmimet shkojnë lart, problem i madh. Duhet të mendojnë për këtë popull sepse populli është në varfëri të madhe”, thotë Agim Mjeku, banor i Prishtinës.

(Kosova Sot Online)