Berisha: Rama i jep thjeshtrës dhe baxhanakut tendera me qindra milionë euro

  • E.K /
  • 20 April 2023 - 09:26
Berisha: Rama i jep thjeshtrës dhe baxhanakut tendera me qindra milionë euro

Nga Devolli ku prezantoi kandidatin e "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie, Elvis Hajdërlli, kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi tenderat që Edi Rama i jep baxhanakut dhe vajzës së bashkëshortes së tij. 

Lideri demokrat tha se thjeshtra dhe baxhanaku i Edi Ramës kanë përfituar qindra milionë euro tendera. 

Berisha tha se qeveria është shndërruar në "shushunjë" që po vjedh pasuritë e shqiptarëve. 

"Me 14 maj, pra, ne votojmë ndryshimin. Ne sjellim këtu njërin prej jush, sjellim këtu një njeri i cili me dashuritë, respektin, përulësinë para jush do të jetë një shërbëtor i vërtetë, një menaxher i shkëlqyer, një drejtues i vendosur i bashkisë suaj, i Devollit. Çdo vend në Shqipëri është i bekuar, por vendi i mbiprodhimit është vetëm Devolli më shumë se gjithë të tjerët, është më i bekuari se gjithë të tjerët. Devolli është treva e punëtorëve të shkëlqyer, e fermerëve të mrekullueshëm, e potencialeve të jashtëzakoshme të gjithanshme. Devollijtë janë zotërit më të mirë, të tokave, të trojeve të tyre. 

Por çfarë ndodh sot me Devollin. Një dramë e vërtetë. Devollijtë largohen, e largohen. Vajza që çeli mitingu, me të drejtë tha; unë kam studiuar, por nuk gjej punë. Imagjinoni pse na ikin ne të rinjtë, sepse diploma nuk u shërben për vend pune, sepse të tjerëve u ka vendosur mesataren si satër për të mos hyrë në universitet, sepse edhe ai që mbaron universitetin një shtëpi nuk e blen dot. Sepse qeveritarët me vjedhjet e tyre të pakufishme, bëjnë që çmimet e apartamenteve të jenë më të lartat se në Belgjikë. 

Pak kush e di se një apartament në Tiranë është 30% më shtrenjtë se në Bruksel. Thoni ju si ka mundësi? Po, po, sepse ai kryetar dhe ky kryetar, dhe këta sekti i rilindjes nuk ka mendjen tjetër kund, veç se si vjedhin vetë, të pasohen vetë. Nuk kanë gjë tjetër, marrin 2-3 rroga, kunatit i jep rrogën më të madhe. 

Po Edi Rama çfarë bën thoni ju? Edi Rama i jep baxhanakut jo 10-20-30, por 80 dhe 100 tendera. Dhjetëra qindra milionë euro. I jep thjeshtrës dhjetëra e dhjetëra tendera. Ky përmendi shkatërrimin e klubit nga kunati. Po Olsi mos e zbardhi klubin Partizani. Jo mor jo, këta mendojnë vetëm për veten. Këta janë një racë, një sekt që si shushunja po vjedhin pasuritë tuaja", tha kreu i PD. 

(Kosova Sot Online)