
Edi Rama: Brenda mandatit, paga minimale do të shkojë 45 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama ju ka ribërë thirrje bizneseve që të rrisin pagat për punonjësit gjatë një takimi me punonjës të sektorit të ndërtimit.
“Kemi bërë dhe do të bëjmë shumë për turizimin. Shqipëria e 2030 do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm. Problemi i madh që do të kemi se sa mirë do t’i trajtojmë kërkesat e tyre që nga kërkesa për shtretër që do të rritet çdo vit dhe deri tek kërkesa për cdo detaj në shërbim. Te ardhurat do të rriten shumë më tepër nga se janë sot se ju do të jeni në gjendje të rrisni çmimet.
Kemi hyrë në kohën e një lufte për mish njeriu, vendet e zhvilluara do të bëjnë çmos për sa më shumë njerëz. Ne duhet që të mos humbasim krahë pune, por të sjellim mbrapasht krahë pune. Sot nuk jemi në fazën që të ju themi shqiptarëve që të kthehen. Këtë duhet të bëjnë bizneset. Historia që të gjithë duan të punojnë në shtet ka aspektin e mungesës së informacionit, por edhe idenë që po marr një pagë të mirë dhe në zyrë të luaj me letra.
Pagën minimale do ta rrisim përsëri, por nuk është thjesht kjo dhe duhet për ta konceptuar jetën që edhe sikur të dalësh barazim, ke bërë gjënë e duhur nëse ju ke dhënë punonjësve më shumë, ke garantuar të nesërmen. Kjo kërkon një moment shtrëngimi, do të heqësh pak më shumë nga fitimi jot”, tha Rama.
Ndërkaq Rama shtoi se brenda mandatit të tij qeverisës, paga minimale do të shkojë nga 40 mijë Lekë të vjetra në 45 mijë Lekë të vjetra.
“Arsyeja që jemi këtu të përsërisim thirrjen bizneseve që të ndjekë shembullin e më të mirëve, siç është kjo kompani dhe të vazhdojë rritjen e pagave sepse momenti është shumë kritik. Po rritet alarmi për mospërmbushjen e vendeve të punës me krahë pune pasi në Gjermani nuk ka më aq të rinj sa i duhen ekonomisë gjermane për të vazhduar të jetë ajo që është. Gara për të tërhequr krahë pune në anën tënde, do të jetë gara e çdo vendi dhe Gjermania po rend prej kohësh që të ketë sa më shumë dhe i duhen miliona që nuk ja jep më procesi i lindjeve brenda.
Ne jemi në pikën që është tani momenti i kthesës së madhe dhe fatmirësisht, qeveria ka arritur ta bëjë kthesën e madhe pasi ka tejkaluar tërmet, pandemi, problematikat e luftës për të cilat vazhdojmë e paguajmë çdo muaj. Kemi filluar një rritje pagash historike që ka nisur tani dhe mbyllet në harkun e një viti deri tani dhe e çon pagën mesatare në 900 Euro në sektorin publik që është thuajse një dyfishim të pagës. Mund ta bëjmë sot këtë, kemi arritur të menaxhojmë gjithë këto kriza dhe ta shtyjmë ekonominë përpara.
Rritja e pagave nuk është dëshirë, por mundësi. Ne i kemi matur shumë mirë hapat dhe prandaj kemi ecur ngadalë në këtë proces. Tani rritja është masive dhe është në të gjithë horizontin. Sot e kemi pagën në mesatare në rajon dhe do të vazhdojmë ta rrisim, 45 mijë do ta çojmë patjetër brenda mandatit dhe pa shkuar të 60 mijë nuk mund të flemë gjumë. Ne nuk pranojmë të rrimë pa bërë asgjë nëse bizneset, ose me ato biznese që vazhdojnë ta konsiderojnë aftësi konkurruese numër 1 pagën e ulët dhe krahun e lirë të punës. Ne nuk do t’i japim më asnjë kontratë publike dhe asnjë leje ndërtimi, asnjë kompanie ndërtimi që nuk kanë paga dinjitoze. Qeveria nuk të jep mundësi të futesh në tender fare dhe as nënkontraktor nuk mund të jesh me paga abuzive ndaj punonjësve“, u shpreh ai.
(Kosova Sot Online)