Dyshohet se nënshkroi 199 mijë euro kontratë, arrestohet drejtori i Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë

  • A.P /
  • 12 May 2023 - 22:15
Dyshohet se nënshkroi 199 mijë euro kontratë, arrestohet drejtori i Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është arrestuar drejtori i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot më 12.05.2023, pas disa veprimeve operative/taktike dhe hetimore, kanë arrit të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin A.K., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar)”, thuhet në njoftim

I dyshuari A.K, i lindur në vitin 1981, sipas Policisë, dyshohet se në cilësinë e drejtorit të AKEE-së, ka nënshkruar kontratë në vlerë 199 mijë e 500, për një projekt që ishte tashmë i realizuar.

Policia ka sqaruar se kontrata për projektin e nënshkruar ishte realizuar në vitet 2016-2018.

“I dyshuari në cilësi të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar kontratë rreth realizimi të disa projekteve në Burgun e Dubravës me një kompani në vlerë prej 199,500.00 €. Dyshohet se projektet në Burgun e Dubravës ishin tashmë të realizuara në vitet 2016-2018, (në Pavionin 4, vlera  271,466.66 €- realizuar në vitin 2016-2018, në Pavionin 6, vlera 233,309.00 € – realizuar në vitin 2016-2018 dhe ndriçimin e perimetrit të jashtëm të Burgut të Dubravës, Faza I, në vlerë 15,240.00 €, Faza II në vlerë 18,675.00 € dhe faza V në vlerë 20,000.00 € – realizuar në vitin 2016-2018)”, thuhet në sqarim.

Gjithashtu, Policia ka bërë të ditur se në vitin 2021, ndaj personit të njëjtë, ishte iniciuar një rast tjetër nga policia.

“Sot, më 12.05.2023, i dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar ndaj tij është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, thuhet në fund të njoftimit.

(Kosova Sot Online)