Vrasja e Ivanoviqit, anulohet edhe seanca e fundit, bashkëshortja e tij nuk u paraqit në gjykatë

  • S.A /
  • 25 May 2023 - 12:33
Vrasja e Ivanoviqit, anulohet edhe seanca e fundit,  bashkëshortja e tij nuk u paraqit në gjykatë

Gjatë ditës së sotme ishte paraparë që të mbahej seanca e rradhës për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gjykatësi Valon Kurtaj, por seanca është anuluar sërish, si shkak i mungesës së dëshmitares, ish-partneres së Ivanoviqit, Milena Popoviq- raporton Betimi për Drejtësi, transmeton "Kosova Sot Online".

Dëshmitarja Popoviq ka informuar gjykatën se sot nuk mund të jetë prezente.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Popoviq mungon në seancë.

Më parë prokurori special Burim Çerkini patë deklaruar se për shkak të mungesës së saj shqyrtimi gjyqësor është shtyrë disa herë, por deklaroi se nuk mund ta presin deri në pafundësi këtë dëshmitare.

Këtë herë dëshmitarja deklaroi se në seancën e nesërme do të jetë e gatshme të dëshmojë.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Në seancën e fundit të mbajtur me 14 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

(Kosova Sot Online )