Kryediplomati hungarez reagon pas lëndimit të ushtarëve të vendit të tij në Zveçan

  • S.A /
  • 30 May 2023 - 12:24
Kryediplomati hungarez reagon pas lëndimit të ushtarëve të vendit të tij në Zveçan

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Szijjártó Péter, ka reaguar pasi disa nga ushtarët e lënduar të KFOR’it në Zveçan morën lëndime nga protestuesit serbë, transmeton "Kosova Sot Online".

Ai tregoi se atyre i është dhënë ndihma mjekësore dhe se ushtarët hungarezë në Kosovë janë nën komandën italiane.

“Ushtarët hungarezë që shërbejnë në KFOR në Kosovë nën komandën italiane janë vendosur në komunën e Zveçanit. Ushtarët hungarezë kryen detyrën sipas urdhrit që morën, gjatë së cilës disa prej tyre u plagosën. Kujdesi mjekësor për ushtarët hungarezë të plagosur ofrohet nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Hungareze”, tha ai.

Peter tha se arsyeja se pse ushtarë të këtij vendi shërbejnë në Kosovë është për shkak se Hungaria është e interesuar për paqe në vendet fqinje.

“Hungaria është e interesuar për paqen dhe qetësinë në fqinjësinë tonë, në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne e bëjmë këtë, pasi qindra ushtarë tanë janë duke shërbyer në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më pas, në një postim të dytë, kryediplomati hungarez dha detaje për gjendjen e tyre shëndetësore.

“Ambasadori ynë në Prishtinë, József Bencze, sapo ka vizituar katër ushtarët hungarezë të cilët kanë nevojë për trajtim në Spitalin Amerikan për shkak të lëndimeve që morën. Njëri prej tyre është dashur të operohet, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”.

Kryediplomati hungarez mori pjesë në tubimin e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Ai aty mbajti edhe fjalim në përkrahje të Vuçiqit, duke thënë se “Serbia e ka një president të shkëlqyeshëm”.

“Vuçiq arriti që në vend të armiqësisë historike, ne tani kemi miqësi historike mes nesh”, ka deklaruar gjatë fjalimit.

(Kosova Sot Online )