Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë sot një javë në Gjakovë

  • 07 June 2023 - 12:27
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë  sot një javë  në Gjakovë

Kryeministri Albin Kurtii në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar se sot një javë do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë në Gjakovë, transmeton "Kosova Sot Online".

“E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit”, tha Kurti.

Kurti paralajmëroi edhe marrëveshje të reja që do të nënshkruhen.

“Duke pasur parasysh ndikim pozitiv e të drejtpërdrejtë që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve, bizneseve dhe shoqërive tona, si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtës. Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”.

Ai tha se në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore ashtu që importi, tranziti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të kryhen në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, si dhe arritja e një marrëveshje që përmes bursave të studimit do të nxisë mobilitetin e studentëve në të dy vendeve tona.

“Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na afrojnë për herë e më shumë si shoqëri, si popull. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë. E marrëveshjet që do të nënshkruajmë, do të na afrojnë edhe më shumë”.

(Kosova Sot Online )