Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e Parlamentit Europian: Sot Europa është destinacion i yni

  • S.A /
  • 14 June 2023 - 12:17
Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e Parlamentit Europian: Sot Europa është destinacion i yni

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj sot në Parlamentin Europian riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur ish-presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE, transmeton "Kosova Sot Online".

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Europa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Osmani.

Para eurodeputetëve, Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën europiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

(Kosova Sot Online )