Ja çfarë përmban deklarata e Vidovdanit që u lexua në tubimin e Mitrovicës së Veriu

  • S.A /
  • 27 June 2023 - 13:05
Ja çfarë përmban deklarata e Vidovdanit që u lexua në tubimin e Mitrovicës së Veriu

Në fund të tubimit të serbëve, që u mbajt në Mitrovicën Veriore në sheshin “Vëllezërit Miliq”, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, lexoi deklaratën e Vidovdanit, ku thuhet se serbët nga veriu i Kosovës thonë se, “nëse përndjekja ndaj tyre vazhdon, ata do të detyrohen t’u përgjigjen të gjithë atyre që u dëshirojnë dëm dhe që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”, transmeton "Kosova Sot Online".

Miloviq tha se serbët e veriut thonë se do të jenë të bashkuar në luftën e tyre  për “qëndrim dhe mbijetesë në territorin e Kosovës dhe në mbrojtje të shtëpive dhe familjeve të tyre”.

Në pikën e parë të deklaratës së lexuar janë përmendur të dyshuarit serbë të arrestuar për sulme ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it. Në këtë deklaratë, këto arrestime janë quajtur “përndjekje”, ndërsa veprimtaria e të dyshuarve për sulme është quajtur “rezistencë”.

Në pikën e dytë të deklaratës, u fol për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Kosovës.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë ky Vidovdan – a kemi Asociacion. Përndryshe, ne e dimë se çfarë të bëjmë”, është thënë ndër të tjera në deklaratë.

 Tutje, në deklaratë është përmendur përkrahja që po u jep presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

(Kosova Sot Online )