Kurti e konfirmon listën e masave të BE-së ndaj Kosovës

  • S.A /
  • 29 June 2023 - 11:33
Kurti e konfirmon listën e masave të BE-së ndaj Kosovës

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për prezantimin e listës së masave kundër Kosovës nga Komisioni Evropian, përcjell "Kosova Sot Online".

Ai në hyrje të  deklarimit në mbledhjen e  Qeverisë së Kosovës e ka konfirmuar se kundër Kosovës është prezantuar një pako e masave.

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, BE-ja te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë. Të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj qeverinë”, ka thënë Kurti.

Ndonëse e thekson se kanë qenë kritikë shpeshherë ndaj BE-së, Kurti potencoi se asnjëherë nuk ka qenë “as cinik as të hidhëruar”.

“Nuk jemi as sot. Raporti i fundit për vendin tonë  i hartuar pikërisht nga Komisioni Evropian e përshkruan dhe e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive. Aty e gjen hijen e vërtetë të BE-së si organizëm mbi kombëtar, i drejtë e meritokrat. Dhe pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve”, shtoi ai.

Ndryshe, Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.

Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.

Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.

Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”

Ndërsa, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka thënë se masat e shpallura ndaj Republikës së Kosovës “nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve”.

(Kosova Sot Online )