Në Gjykatën e Hagës fillon dëshminë eksperti tjetër mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

  • S.A /
  • 04 July 2023 - 11:58
Në Gjykatën e Hagës fillon dëshminë eksperti tjetër mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e të martës, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar dëshminë dëshmitari i dhjetë me radhë, eksperti William Goodwin, ekspert mjeko-ligjor nga Britania e Madhe, raporton Betimi për drejtësi, transmeton "Kosova Sot Online".

Të njëjtin ka filluar ta marr në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurori special Filippo De Minicis. ’Seanca po vazhdon në sesion publik.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia dha dy urdhra me gojë.

I pari urdhër kishte të bënte me dorëzimin e versionit publik të redaktuar i cili është dashur të dorëzuar në pajtim me urdhrin e trupit gjykues për njoftim gjyqësor për fakte të njohurive të përgjithshme.

Gjykatësja tha se nga ana e mbrojtjes nuk është dorëzuar asnjë dokument andaj është udhëzohet ekipi i mbrojtjes që deri të premten më 7 korrik, të publikojë versionin e redaktuar publik.

Kurse urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e mbrojtjes për të shtuar në listën e materialeve dy dokumente që t’i përdorin gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit dhe që nga ana e trupit gjykues të njëjtat u aprovuan.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

(Kosova sot Online )