Lajçak raporton për vizitat në Kosovë e Serbi: E kam më të qartë situatën, përpjekjet vazhdojnë

  • S.A /
  • 08 July 2023 - 14:58
Lajçak raporton për vizitat në Kosovë e Serbi: E kam më të qartë situatën, përpjekjet vazhdojnë

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur për vizitat e fundit që pati në Kosovë e Serbi. Ai tha se ato e ndihmuan për ta kuptuar më qartë situatën në terren, duke shtuar se përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të vazhdojnë, transmeton "Kosova sot Online".

“Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi për përpjekjet tona të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me Presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”.

Lajçak ka shkruar se i vlerësoi shkëmbimet e thelluara për hapa konkretë.

“Udhëtimi më ndihmoi të kuptoja më mirë situatën në terren dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm. Vazhdon përpjekja jonë për t’u kthyer në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Emisari Lajçak përmendi edhe vizitat e tjera që realizoi në Kosovë, përveçse me krerët e vendit.

“Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”.

Këto komente Lajçak i bëri nga Vjena ku tha se udhëhoqi një aktiviteti përkujtimor kushtuar 30 vjetorit të Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.

“Ishte një mundësi e vlefshme për të diskutuar mbi rolin aktual të këtij institucioni të rëndësishëm, për të reflektuar mbi mësimet e nxjerra dhe për të adresuar sfidat e reja për të ardhmen. Gjatë aktivitetit pata rastin të takohem edhe me kryesuesin aktual të OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Ne folëm për sfidat që OSBE-ja po adreson, zhvillimet e fundit në rajon dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Lajçak.

(Kosova Sot Online )