Tragjedia në bregdetin shqiptar, arrestohet administratori i plazhit ku u mbyt babai me dy djemtë

  • S.A /
  • 10 July 2023 - 10:42
Tragjedia në bregdetin shqiptar, arrestohet administratori i plazhit ku u mbyt babai me dy djemtë

Policia ka arrestuar  administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë, Rrogozhinë, ku humbën jetën nga mbytja në det, babai Elvis Halilaj, bashkë me 2 djemtë e tij të mitur, 13 dhe 17 vjeç, transmeton "Kosova sot Online ".

34-vjeçari, i cili kishte marrë me qira në bashkinë e Rrogozhinës, administrimin e parcelës së plazhit, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur me mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Aty mungonte edhe roja bregdetare si dhe të gjitha pajisjet për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në rast rreziku për t’u mbytur.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.  

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë“, njofton policia.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes treguan se panë një burrë që kishte ngritur duart dhe kërkonte ndihmë, por asnjë nga pushuesit nuk u fut në det sepse kishin frikë nga dallgët e mëdha dhe për faktin se aty mungonin vëzhguesit. Tre të mbyturit u nxorrën nga deti nga një person që punonte në plazh.

(Kosova Sot Online )