Albin Kurti: Serbia është përgjegjëse për gjenocidin në Srebrenicë

  • S.A /
  • 11 July 2023 - 08:54
Albin Kurti: Serbia është përgjegjëse për gjenocidin në Srebrenicë

U mbajt ceremonia përkujtimore e 28 vjetorit të gjenocidit në  Srebrenicë dhe për këtë ngjarje ka folur kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se Serbia është fajtore për këtë ngjarje, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Duke kujtuar gjenocidin e tmerrshëm pashmangshëm na kujtohet Mlladiqi, ‘Skorpionët’, ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia në fillim në Kroaci e Bosnjë e më pas edhe në Kosovë”, deklaroi kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë e u masakruan mbi 8000 burra, gra, djem, boshnjakë.

Më tej, Kurti u shpreh se na mundon fakti që kriminelët ende nuk e morën dënimin e merituar.

Kryeministri Kurti më tej vuri në dukje ndihmën që Serbia u ka dhënë serbëve të Bosnjës, qoftë në sferën ushtarake, qoftë edhe në sferat tjera, derisa shtoi se ajo është përgjegjëse për gjenocidin në Srebrenicë.

Dhe si argument, kryeministri Kurti  përmendi faktin që marrëveshja e arritur në Deyton është nënshkruar nga presidentët, Millosheviq- Izetbegoviq-Tugjman.

Më tej, Kurti kujtoi ndëshkimet e disa prej përgjegjësve të gjenocidit në Bosnje, si: Karaxhiq, Mlladiq, Stanishiq, etj.

“Ky është treguesi se gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur nga brenda, por nga jashtë”, deklaroi, mes tjerash kryeministri Kurti, teksa shtoi se përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet.

Kurti, ndër të tjera, foli për kontributin  e Kosovës për mbështetjen e BeH, nëpërmjet rezolutave dhe hapave të tjera me kapacitetet shtetërore që Kosova ka.

“Ne duam paqe, bashkëpunim e barazi mes shteteve e popujve në Ballkan, por themeli i kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve”, deklaroi tutje, kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë.

{Kosova Sot Online )