Ndalohen në kufi me Shqipërinë babë e bir nga Kosova, nuk i deklaruan mbi 28 mijë euro

  • S.A /
  • 31 July 2023 - 13:24
Ndalohen në kufi me Shqipërinë babë e bir nga Kosova, nuk i deklaruan mbi 28 mijë euro

Babë e bir nga Kosova, janë ndalur nga policia kufitare në Muriqan teksa kanë tentuar për të hyrë në Shqipëri duke mos deklaruar në kufi shumën e të hollave që kishin në makinën e tyre, transmeton "Kosova Sot Online".

Atyre u janë sekuestruar 28.400 euro.

Njoftimi i policisë:  

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit kosovarë P. P. dhe B. P. (babë e bir).

Gjatë kontrollit në automjet dhe në çantën e dorës të shtetasit P. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 28 400 euro që i posedonte shtetasi P. P., por nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar P. P., 50 vjeç, banues në Gjermani, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online )