Jep dorëheqje zëvendësministrja e Arsimit

  • S.A /
  • 01 August 2023 - 09:54
Jep dorëheqje zëvendësministrja e Arsimit

Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna, ka bërë me dije se është dorëhequr nga kjo pozitë, për t’iu kthyer punës akademike në arsim e shkencë, transmeton "Kosova sot Online".

Ajo shkroi në Facebook të martën se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se takimi përshëndetës ishte në frymë pozitive.

“Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim”, shkroi Maloku.

Ajo u shpreh se është krenare për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjes e përfshirjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e të matematikës.

“U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, thuhet në statusin e saj. Maloku kishte marrë pozitën e zëvendësministres së MASHTI-t më 27 maj të 2021-s.

(Kosova Sot Online )