Alarmon edhe Fondacioni gjerman Friedrich Naumann: Sistemi propagandistik i Putinit është kopjuar dhe përsosur në Serbi

  • S.A /
  • 08 August 2023 - 09:10
Alarmon edhe Fondacioni gjerman Friedrich Naumann: Sistemi propagandistik i Putinit është kopjuar dhe përsosur në Serbi

Një studim i ri i Fondacionit Friedrich Naumann dëshmon se si mediat e dirigjuara nga Moska me sukses po e manipulojnë opinionin publik në vendet e ish-Jugosllavisë. Kjo ka pasoja edhe për sigurinë e Europës, shkruan revista “Der Spiegel”, transmeton "Kosova Sot Online".

Fondacioni gjerman Friedrich Naumann është themeluar në vitin e largët 1958 dhe njihet si i afërt me Partinë Liberale gjermane (FDP), e cila aktualisht është pjesë e qeverisë gjermane. Friedrich Naumann (1860-1919) ka qenë teolog dhe politikan liberal gjerman.

Fondacioni që bart emrin e tij angazohet për vlerat liberale dhe liridashëse në Europë. Në një analizë të detajuar të ndikimit të propagandës ruse në Ballkan ky fondacion gjerman arrin në përfundimin se dominimi medial rus në pjesë të mëdha të Ballkanit paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e Europës. Analiza është botuar të enjten e kaluar dhe ka ngjallur interesimin e revistës së njohur “Der Spiegel”.

Analiza e fondacionit gjerman arrin në përfundimin se sistemi klientelist i Vladimir Putinit, i cili bazohet në shërbimet sekrete, në oligarkët lojalë, në mediat e shtypura dhe drejtësia e dirigjuar është kopjuar në Serbi dhe në vendet fqinje. Në Serbi kanalet televizive private nën sundimin e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe mediat më të etabluara të vendit përfaqësojnë qëndrime rusofile dhe mallkojnë SHBA-të, BE-në dhe NATO-n. 

Sipas “Der Spiegel” propaganda proruse në Serbi lë pasoja: ndonëse Serbia qe 10 vjet negocion me BE-në për anëtarësim, më shumë se gjysma e serbëve do të votonin kundër hyrjes në BE, sikur të mbahej një referendum. 45 për qind e të anketuareve e quajnë Putinin politikan udhëheqës mbarëbotëror. Paradoksale në këtë zhvillim është se BE mbetet partneri më i rëndësishëm i Serbisë. Më shumë se dy të tretat e të gjitha investimeve të huaja në Serbi në dekadën e fundit është bërë nga BE. Vetëm ndërmarrjet gjermane kanë krijuar 40 mijë vende të punës. Për çdo vit Brukseli ia dhuron Serbisë 300 milionë euro – ndihma këto që Beogradi nuk duhet t’i kthejë.

Në përhapjen e propogandës ruse rol të rëndësishëm luan agjencia Sputnik Srbija, e cila financohet nga Moska. Raportet e saj tendencioze shpërndahen edhe në shtetet fqinje të Serbisë. Në rajon është aktiv edhe kanali RT (dikur: Russia Today), të cilit në Gjermani i është ndaluar emitimi i lajmeve. Që nga 15 nëntori 2022 shërbimi online “RT Balkan” përhap lajme në gjuhën serbe sipas shijes së Moskës. Përmes zyrave ruse të propagandës është duke u përkrahur nacionalizimi serb në vendet fqinje të Serbisë, shkruan Fondacioni Friedrich Naumann. Vetëm në 150 ditët e para të luftës ruse kundër Ukrainës janë dokumentuar më shumë se 1500 raste të lajmeve të rrejshme në Serbi dhe shtetet fqinje. Autor i studimit të Fondacionit Friedrich Naumann është Thomas Brey, i cili ka qenë me dekada korrespondent nga Beogradi i agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Ai është njohës i mirë i rajonit. Brey thotë se qasja perëndimore për të treguar tolerancë ndaj “stabilokratëve” të Ballkanit ka dështuar plotësisht. Sipas tij nuk është mësuar nga e kaluara e afërt: që në vitet 90-të një zhurmë me gjysmë të vërteta, gënjeshtra, nacionalizëm dhe propagandë pati arritur që fqinjët paqësorë t’i shndërrojë në armiq të ashpër.

(Kosova Sot Online )