Ja si mund të aplikoni për masat e Efiçiencës së Energjisë, procedurat në detaje

  • S.A /
  • 08 August 2023 - 12:07
Ja si mund të aplikoni për masat e Efiçiencës së Energjisë, procedurat në detaje

Është hapur sot thirrja për zbatimin e masave të Efiçencës së Energjisë për shtëpitë individuale të banueshme.

Për t’u kualifikuar për marrjen e subvencionit kriteri bazë, sipas Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), është që shtëpia të jetë e banueshme, dhe në 1 nga 24 muajt e fundit, ka konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kWh (kilovat orë) për muaj, transmeton "Kosova sot Online".

Përveç këtij kriteri për të përfituar nga kjo masë duhet që të përmbushen edhe dy të tjerë.

“Shtëpia nuk ka izolim termik ose është nën kërkesat minimale teknike (trashësi të izolimit të mureve të jashtme nën 8 cm, izolim termik i kulmit nën 10 cm, ose dyer dhe  dritare jo efiçiente); ose (b) Shtëpia është pjesërisht e izoluar, por njëra ose disa nga masat e pikës (a) nuk i plotësojnë kërkesat minimale. Aplikanti mund të zgjedhë një kombinim në mes masave të mundshme, por izolimi termik i mureve të jashtme mbetet kusht i detyrueshëm. Kjo nënkupton se nëse shtëpia nuk ka izolim  termik, masat tjera nuk do të aprovohen fare”, thuhet në thirrjen publike.

 

Aplikacioni të paraqitet online

Aplikimi për këtë masë, sikurse edhe herën e kaluar duhet të bëhet online.

Procesi i aplikimit përbëhet nga dy (2) hapa: Plotësimi i aplikacionit në platformën online dhe bashkëngjitja e raportit nga Auditori i Energjisë me paramasë dhe parallogari përkatëse.

Sipas njoftimit, aplikanti mund të zgjedhë një auditor të energjisë nga lista ekzistuese e publikuar e auditorëve në faqen e internetit të FKEE-së.

“Auditori i energjisë mund ta ndihmojë aplikantin në përpilimin e aplikacionit përmes platformës online. Disa nga të dhënat nga raporti i auditimit te energjisë, përfshirë koston e masave potenciale, aplikanti do t’i vendos në mënyrë manuale në platformën e aplikimit.  Aplikanti duhet të paraqes afatin kohor të nevojshëm për zbatimin e masave të EE, jo me vonë se gjashtë (6) muaj nga data e aplikimit. Aplikimi për Shtëpi individuale mund të lehtësohet  edhe përmes kanaleve tjera, përfshirë edhe zyrat komunale përmes zyrtarëve për efiçiencë të energjisë”, thuhet tutje aty.

E kush aplikon i pari shpërblehet i pari, është rregulli që do të ndiqet për të pranuar aplikimet nga qytetarët.

“Aplikimet me raport të auditimit të energjisë do të trajtohen mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” për sa kohë që ka fonde të lira, apo buxheti të rishikohet nga FKEE.  Aplikanti mund të aplikojë vetëm për një shtëpi banimi. Pasi një aplikim të miratohet dhe të merret subvencioni për ShI, personat e tillë nuk kanë të drejtë të aplikojnë përsëri për subvencion”, thuhet tutje në thirrje.

Miratimi i aplikimit

FKEE ka dhënë detaje edhe për miratimin e aplikimit nga një qytetarë. Sipas tyre, nga momenti i miratimit të aplikimit, në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh duhet të kryhen punimet.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së të dhënave të aplikantit, nëse i gjithë informacioni përputhet me atë që FKEE e ka paraparë si të nevojshme, FKEE vendos për aprovimin e aplikacionit. Aplikantit i dërgohet një letër zyrtare – miratim paraprak, përmes postës elektronike brenda 7 (shtatë) ditësh, duke e informuar për miratimin e aplikacionit me masat e pranueshme. Kjo letër e miratimit paraprak nënshkruhet nga aplikanti dhe e skanuar i kthehet prapa FKEE-së brenda 7 (shtatë) ditësh, si shprehje e pajtimit me shkrim për kushtet dhe masat e aprovuara. Më pas,  aplikanti brenda 3 (tri) ditësh do të marrë një konfirmim me e-mail se mund të fillojë me kryerjen e punimeve. Afati maksimal për zbatimin e masave është deri në gjashtë (6) muaj, kohë brenda së cilës duhet të bëhet edhe disbursimi i subvencionit”, thuhet ndër të tjera aty.

“Pas përfundimit të punimeve, pronari i shtëpisë (në tekstin e mëtejmë ‘përfituesi’) njofton FKEE-në se ka përfunduar zbatimin e masave të aprovuara, dhe dorëzon formularin përkatës për disbursim të subvencionit. Përveç formularit për disbursim, përfituesi duhet të sigurojë edhe dokumentet e mëposhtme:  i. Pro-faturën ose marrëveshjen e nënshkruar me punëkryesin; ii. Faturën e lëshuar me të gjitha pozicionet e detajuara të masave të EE të zbatuara, që korrespondojnë me materialet dhe sasitë e përmendura në paramasë dhe parallogari, si pjesë e bashkëngjitur e letrës së para-aprovimit; iii. Dëshminë e transfertës bankare për të treguar se përfituesi ka paguar punëkryesin sipas faturës; dhe iv. Detajet e llogarisë bankare të përfituesit. Dorëzimi i këtyre dokumenteve është thelbësor për të siguruar verifikimin e duhur të kërkesës për disbursim”, thuhet tutje.

E pas kryerjes së punimeve FKEE paralajmëron se do të ketë verifikimin të përfundimit dhe mbikëqyrje të punimeve.

“Çdo kompani e kontraktuar obligohet që do të punësojë ose të angazhojë së paku pesë (5)

studentë apo inxhinierë të rinj për këtë projekt.  Kompania e kontraktuar brenda dhjetë (10) ditëve nga data e angazhimit, duhet të verifikojë përfundimin e punës dhe ta dërgojë raportin në FKEE. Ky raport do të përcaktojë nëse zbatimi i masave është bërë në formë të pranueshme për rimbursim. Raporti përmban, përveç tjerash, sasinë e masave të zbatuara (metrat katrorë të secilit pozicion) dhe ofron rekomandim për disbursimin e subvencionit. Pas këtij procesi, në mes të përfituesit dhe e FKEE-së do të nënshkruhet Marrëveshja për subvencionim, duke specifikuar shumën përfundimtare të subvencionit që do t’i transferohet përfituesit”.

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje lidhur me hapjen e aplikimit për masat e radhës për rritjen e efiçiencës së energjisë. Kurti tha se masat do të vlejnë vetëm për shtëpitë private.

Përmes masave të reja, sipas kryeministrit qytetarët do të përfitojnë nga subvenciomi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje lidhur me hapjen e aplikimit për masat e radhës për rritjen e efiçiencës së energjisë. Kurti tha se masat do të vlejnë vetëm për shtëpitë private, shkruan Gazeta Express.

Përmes masave të reja, sipas kryeministrit qytetarët do të përfitojnë nga subvenciomi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

“Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro. E për familjet ku shtëpia është bashkëpronësi e të dy bashkëshortëve apo në pronësi të gruas, subvencionimi arrin 50%”, ka thënë ai.

Aplikimi për këtë masë do të bëhet online përmes e-Kosova.

“Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në efiçiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social. Aplikimi bëhet online përmes vjegëzës në vijim:  ekosova.rks-gov.net/466 Detajet në lidhje me thirrjen mund t’i gjeni këtu: www.fkee-rks.net”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”

(Kosova Sot Online )