Merezhko: Njohja e Kosovës është kompetencë e Zelenskyt

  • A.P /
  • 08 August 2023 - 14:48
Merezhko: Njohja e Kosovës është kompetencë e Zelenskyt

Besoj se është ide e mirë njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij, ka deklaruar deputeti Oleksandr Merezhko, i cili përfaqëson diplomacinë e Parlamentit në Ukrainë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se deputetët po e diskutojnë këtë mundësi. Por për këtë, sipas tij, duhet të vendosë presidenti Volodymyr Zelensky, me të cilin thotë se s’ka biseduar.

Në mesin e deputetëve të Ukrainës po diskutohet mundësia e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Kështu i tha kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin të Ukrainës, Oleksandr Merezhko.

Merezhko thotë se megjithatë kjo çështje është në duart e presidentit Volodymyr Zelensky

“Në mesin e deputetëve kemi diskutime për njohjen e Kosovës. Por nuk u takon anëtarëve të parlamentit të vendosin. Çështja e njohjes është kompetencë e Presidentit”, tha ai.

Për këtë, Merezhko tha se nuk ka folur me Zelenskyn.

Për të personalisht “nuk është ide e keqe njohja e Kosovës”, pasi, siç thotë ai, “shumica e anëtarëve të BE-së dhe aleatët tanë më të afërt tashmë e kanë bërë këtë”.

Atij i pëlqen edhe ideja që fillimisht Ukraina ta hapë një zyrë ndërlidhëse në Kosovë.

“Ne duhet t’i peshojmë të gjitha të mirat dhe të këqijat për këtë çështje. Ndërkohë, pse nuk do ta konsideronim një opsion si krijimi i zyrës ndërlidhëse? Me sa dihet ato vende që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur e kanë një zyrë të tillë”, tha Merezhko.

Ai tha se e vlerëson shumë faktin që Kosova e mbështet Ukrainën duke vendosur sanksione kundër Rusisë. Këtu, ai kujton se Serbia s’e ka bërë këtë dhe se e në Beograd një pro-rus si Aleksandar Vulin është emëruar drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit – BIA.

“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhet në një letër të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dërguar nivelit të lartë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Atë e ka nënshkruar edhe Oleksandr Merezhko.

Por kreu i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës thotë se ajo letër ku kërkohet ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë, është qëndrim i tij personal.

“Nuk është qëndrim i Ukrainës, sepse në emër të Ukrainës mund të flasin vetëm presidenti, kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme”, tha ai.

Merezhko beson se “përshkallëzimi i mëtejshëm në Kosovë është i rrezikshëm për sigurinë në Europë dhe është shqetësim për Ukrainën, sepse Rusia mund ta përdorë këtë përshkallëzim në Ballkan për interesat e veta”. Ai kujton se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet këndej, duke përmendur dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe grafitet me simbolin “Z” nëpër veriun e Kosovës.

(Kosova Sot Online)