Tush Frroku i dyshuar për vrasjen në Klinë ishte dënuar për dy vepra penale

  • A.P /
  • 15 August 2023 - 15:03
Tush Frroku i dyshuar për vrasjen në Klinë ishte dënuar për dy vepra penale

Për veprën penale “Ndryshim i njehësorit të shërbimeve” dhe tri vepra penale “Vjedhje e rëndë,  i dyshuari për vrasjen e ndodhur më 7 gusht 2023 në një lokal në Klinë, Tush Frroku, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zhuti konfirmoi se i dyshuari Tush Frroku, për veprën penale “Ndryshim i njehësorit të shërbimeve” është dënuar me 1 vit burgim dhe gjobë në shumën prej 300 euro, të cilat nuk do të ekzekutohen nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej një viti.

“Me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Klinë, P.nr.218/16. i plotfuqishëm me datë 16.01.2019, është gjykuar për vepër penale ndryshim i njehësorit të shërbimeve nga neni 323 I KPRK-së, për të cilën i është përcaktuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti dhe dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen nëse i njejti nuk kryen vepër të re penale në afatin prej një (1) viti”, thuhet në përgjigjen e saj.

Po ashtu, zëdhënësja konfirmoi se Frroku është dënuar edhe për tri vepra penale “Vjedhje e rëndë”, për të cilat i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 muaj dhe dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

“Me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Klinë P.nr.245/18 të datës 13.03.2023, i plotfuqishëm me datë 25.04.2023, është gjykuar për tri vepra penale vjedhje e rëndë nga neni 327 par.1 nënpar.1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për të cilat i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijëepesëqind (1500) euro”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)